Koncepti i imunitetit të masës, ose imunitetit të tufës, është i thjeshtë. Por arritja e tij, nuk është aspak e tillë. Ndërsa pandemia e koronavirusit është përhapur në të gjithë botën, doktorë, shkencëtarë dhe liderë qeverish kanë thënë se pasi imuniteti i masës të arrihet, përhapja e virusit nuk do të ishte më një kërcënim.
Imuniteti i masës arrihet kur shumica e një popullate, 70-90 për qind, bëhet imune ndaj një sëmundjeje infektive për shkak se janë infektuar dhe shëruar ose përmes vaksinimit. Kur kjo ndodh, sëmundja ka më pak gjasa të përhapet tek njerëzit që nuk janë imunë, sepse thjeshtë nuk ka mbartës të infeksionit për ta çuar tek ta. Por, ka vetëm dy mënyra për të arritur imunitetin e masës: vaksinim në masë, që për Covid 19 është ende shumë muaj larg, ose infektim të gjerë që do të çojë në imunitet. Imuniteti i masës nga infeksioni, ka rreziqet e tij.
Shumë doktorë dhe ekspertë janë dakord se lejimi i Covid 19 të livadhizë mes popullatave, mund të ndihmojë në arritjen e imunitetit të masës më shpejt, por kjo do të çonte në një mbipopullim të spitaleve. Më shumë njerëz do të vdisnin, jo vetëm nga koronavirusi, por edhe nga infeksione të tjera po ashtu. Ndaj, ne të gjithë jemi izoluar në shtëpi, për të sheshuar kurbën e infektimeve. Veç të tjerash, askush nuk e di se sa funksionon vërtetë imuniteti me Covid 19. Zyrtarë të OBSH kanë thënë se nuk është konfirmuar nëse njerëzit që janë ekspozuar një herë ndaj virusit bëhen imunë dhe nëse po, nuk dihet se sa ky imunitet zgjat. Ndaj, ata këshillojnë që qeveritë të presin për një vaksinë.
Top Channel