Emisioni shëndetësor “Hipokrati” në Top Channel, pasuron galerinë “Miqtë e Hipokratit” me një nga zërat më unikalë të Italisë, me këngëtarin mjaft të dashur të shqiptarëve, Al Bano.

Në këtë periudhë, kur Shqipëria dhe Italia, njësoj si pothuaj tërë pjesa tjetër e Globit, po vuajnë karantinën e imponuar nga Pandemia e Covid -19, po bëhet traditë që figura të shquara të jetës artistike italiane, të njohura dhe të dashura gjithashtu për publikun shqiptar, të jenë të ftuar në emisionin “Hipokrati” në Top Channel, për të përcjellë situatën e vështirë me të cilën po përballet vendi fqinj, në të cilin jetojnë qindra mijëra shqiptarë.

Al Bano është një këngëtar i famshëm në Itali, por ai është dhe një qytetar shqiptar që nga momenti kur është pajisur me pasaportë shqiptare, për të cilën ai ndjehet tepër krenar.

Al Bano do të ketë një rrëfim ekskluziv tek “Hipokratit” për të shkëmbyer eksperiencat e izolimit në kushtet e karantinës, si e përballon ai dhe familja e tij në veçanti, por edhe italianët në përgjithësi mungesën e jetës sociale dhe ekonomike.

Al Bano do të tregojë nëpërmjet rrëfimit të tij, emocionet me të cilat u pritën në Itali bluzat e bardha nga Shqipëria, në kontributin e tyre modest në këtë situatë dramatike për vendin fqinj.

Emisioni “Hipokrati” ka përgatitur disa surpriza të këndshme për këngëtarin e famshëm nga Italia, të cilat nuk preferoi të na i zbulojë dhe për këtë na duhet të presim deri në transmetimin e emisionit, ditën e shtunë, dt, 25 Prill, ora 17:30.

Top Channel