Trump “harron” virusin, kërcënon me sulme ndaj anijeve iraniane!

23/04/2020 02:02

Në mesin e krizës së koronavirusit, presidenti amerikan Donald Trump gjeti kohë të merret me Iranin. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka urdhëruar Marinën e SHBA-së, të sulmojë dhe shkatërrojë çdo anije iraniane që pengon anijet amerikane në det të hapur. Këtë Trump e bëri të ditur vetë përmes Twitterit.

Urdhri i tij vjen një javë pasi një video e marinës së SHBA-së, tregoi disa anije iraniane me mjete luftarake, që u afroheshin atyre amerikane, teksa lundronin në Gjirin Persik, pranë Kuvajtit.

Marina e SHBA-së tha se në kohën e incidenteve anijet e saj ishin në ujëra ndërkombëtare duke kryer ushtrime ndërsa 11 anije të Korpusit të Gardës Islamike të Iranit (IRGC) bënë “një qasje të rrezikshme dhe ngacmuese” drejt atyre të SHBA-së. Trump ndërkohë nuk përmendi ndonjë ngjarje specifike e nuk dha detaje të tjera në postimin e tij.

Një zëdhënës i ushtrisë iraniane reagoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet “të përqëndrohen më mirë në shpëtimin e forcave të veta të armatosura nga koronavirusi”. Probleme me anijet ushtarake iraniane ka pasur në rajon edhe në të kaluarën. Anijet amerikane disa herë kanë shtënë në formë paralajmëruese ndaj anijeve iraniane.

Por tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan së tepërmit në janar pasi Shtetet e Bashkuara vranë komandantin e Forcës Quds Irani Qasem Suleimani përmes një sulmi me dron në Irak.

Top Channel