Pasuria e miliarderëve të Amerikës, duke përfshirë themeluesin e kompanisë Amazon.com Jeff Bezos dhe atë të firmës Tesla Inc. Elon Musk, u rrit gati 10 për qind gjatë pandemisë COVID-19, sipas një raporti të botuar nga Instituti për Studimin e Politikave.

Rritja e pasurisë së njerëzve më të pasur të Amerikës vjen në një kohë kur rreth 22 milion amerikanë kanë paraqitur kërkesa për pagesë papunësie.

Edhe pse ekonomia përballet me recesion, aksionet në bursë të firmave teknologjike dhe të kompanive, produktet e të cilave favorizohen nga qëndrimi në shtëpi, si Zoom kanë parë rritje çmimesh javët e fundit, për shkak të përdorimit gjithnjë e më shumë të videokonferencave.

Kjo ka bërë që pasuria e themeluesve miliarderë të këtyre kompanive të shtohet së tepërmi. Gjatë periudhës nga 1 janari deri më 10 prill të këtij viti, 34 nga miliarderët më të pasur të vendit i kanë shtuar pasurisë së tyre dhjetëra miliona dollarë, thuhet në raport.

Sipas raportit, pasuria e tetë prej këtyre miliarderëve, duke përfshirë shefin e firmës Amazon, Bezos, themeluesin e firmës Zoom Video Communications Inc, Eric Yuan dhe atë të Teslës, Musk është shtuar me rreth 1 miliardë dollarë. Gjatë dekadës së fundit, thotë raporti, pasuria e miliarderëve amerikanë u shtua me mbi 80.6 për qind, e indeksuar për inflacionin.

Top Channel