Donte të dilte gjatë karantinës, njerku vret 16 vjeçarin

23/04/2020 21:19

Një 42 vjeçar është arrestuar në SHBA për vrasjen e theshtrit të tij pas një debati që lindi sepse djali donte të dilte gjatë orëve të karantinës.

Bernie Hargrove qëlloi dje për vdekje De’onte Roberts në shtëpinë e familjes në Atlanta, pasi ky i fundit nuk i vinte veshin fjalëve të nënës së tij dhe të njerkut për të mos dalë.

Zëdhënësi i policisë së Atlanta Steve Avery tha se De’Onte u qëllua pasi u kthye në shtëpi dhe sipas raportimeve, kishte qëlluar me grusht Hargrove. Avery shtoi: “Kur viktima u kthye në shtëpi ndodhi një përleshje fizike mes të dyshuarit dhe viktimës. Gjatë kësaj përleshjeje viktima u qëllua”.

Ai shtoi se De’onte kishte marrë plumb në gjoks dhe ishte dërguar në spital, ku dhe u shpall i vdekur.

Hargrove u arrestua dhe u akuzua për vrasje. Një mik i viktimës tha se De’onte ishte ‘një djalë i mirë.’

Policia e Atlanta këshillonte njerëzit të evitonin njëri-tjetrin në shtëpi nëse krijoheshin situata tensioni.
“Kur presionet rriten, ju duhet të merrni frymë thellë, të mendoni dhe të ndaheni. Situata është e vështirë. Njerëzit po qëndrojnë të gjithë në shtëpi”, thuhet në deklaratë.

Shteti i Georgia në SHBA ka pasur 21,500 raste koronavirusi dhe 872 vdekje të lidhura me Covid-19.

Guvernatori republikan Brian Kemp ka thënë se do të nisë rihapjen nga e premtja. Presidenti Trump ka thënë se nuk është dakord me planet e Kemp pasi i konsideron të parakohshme.

Top Channel