Zbulohet dy objektivat e mëdha të Newcastle në merkato!

22/04/2020 23:04

Me kalimin e pronësisë nga Mike Ashley te princi i Arabisë Saudite Bin-Salman, Newcastle United do të kthehet në një klub model në Angli. Milionat që do të vinë nga Arabia Saudite do ta shndërrojnë skuadrën bardhezi në një ekip pretendent për 4 vendet e para në Premier League.

Sipas raportimit të “Daily Mirror”, princi do të sigurojë fonde të mjaftueshme për të sjellë në Angli disa nga yjet e futbollit botëror. Sipas gazetës, preferencat e tij janë dy dhe bëhet fjalë për Philippe Coutinho dhe Antoine Griezmann.

Sulmuesi i Bayernit është ende në pronësi të Barcelonës dhe bavarezët nuk do ta blejnë kartonin e brazilianit. Këtu mund të hyjë në lojë princi, i cili nuk do të kursehet dhe pritet t’i ofrojë pagë faraonike fantazistit brazilian.

E njëjta gjë vlen dhe për francezin e Barcelonës. Griezmann ka pasur luhatje të shumta në sezonin e tij të parë me katalanasit dhe një aventurë e re në Premier League mund ta tundojë kampionin e Botës. Për momentin janë vetëm zëra, por e sigurtë është që Newcastle do të zhvillojë një merkato të madhe duke filluar që nga stoli ku favorit për të marrë drejtimin është italiani Massimiliano Allegri.

Top Channel