“Pas një të keqeje vjen gjithmonë një e mirë”, është një shprehje që gjen gjithnjë dhe më shumë vend këto kohë pandemie. Nga njëri krah ka shumë persona që humbin jetën çdo ditë. Por nga krahu tjetër izolimi ka bërë që ndotja e ajrit të reduktohet së tepërmi.
Një gjë e tillë shihet qartë në Venecia të Italisë. Një qytet që mirëpret miliona vizitorë çdo vit. Siç dihet, qyteti është i “pushtuar” nga uji, dhe lëvizjet kryesisht bëhen me anë të varkave.
Në kanalet e rrugicave të qytetit, gjithmonë uji ka qenë i ndotur. Kjo për shkak të varkave që lëvizin së tepërmi në këtë zonë, por edhe ndotjes së ajrit. Por së fundmi, uji atje është kthyer i kristaltë dhe gjallesat ujore duken mjaft qartë. Zoologu Andrea Mangoni, filmoi një kandil deti, pranë vendit që quhet “Ura Bareteri”.
Ajo që vërehet re është sesi kandili duket teksa noton në ujin e kristaltë, pamje kjo që në të kaluarën vështirë se shihej. Veç kandilave, muajt e fundit në Venecia janë parë dhe mjellma, peshq e shumë gjallesa ujore. Në lidhje me këtë fenomen ka folur dhe një zëdhënës i Bashkisë së Venecias:
“Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se ka më pak trafik varkash që zakonisht sjellin sediment në sipërfaqen e ujit. Ajri po ashtu është më pak i ndotur, pasi ka më pak avullime dhe trafik varkash se zakonisht për shkak të lëvizjes së kufizuar të banorëve”.
Top Channel