Një vrasës që kishte kryer 44 vjet në burgun e Lenox në Michigan, ka vdekur disa ditë para lirimit të tij pasi u prek nga Covid-19.
60 vjeçari William Garrison, vdiq papritur pasi shoku i qelisë e gjeti teksa nuk merrte dot frymë më 13 prill, tha një zëdhënës i burgut.
Atij iu bë frymëmarrje artificiale dhe u dërgua me nxitim në spital, por u shpall i vdekur pak më vonë. Analizat ‘post-mortem’ zbuluan se ishte pozitiv me koronavirusin e ri.
Garrison ishte vetëm 24 ditë larg lirimit të tij të shumëpritur, kur ndërroi jetë. Më herët ai kishte refuzuar mundësinë e lirimti me kusht pasi dëshironte të mbaronte dënimin e tij e të dilte si “njeri tërësisht i lirë”.
Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 50-vjeçari me armë gjatë një grabitjeje të shkuar keq, kur ishte 16 vjeç në vitin 1976. Prej atëherë dënimi i tij ishte kontestuar prej moshës së tij.
Këtë vit bordi kishte pranuar lirimin e tij me kusht, por tragjikisht Garrison zgjodhi të përfundonte dënimin dhe jo të dilte i mbikqyrur dhe sipas kufizimeve të departamentit përkatës.
Garrison është mes 17 të burgosurve që kanë vdekur nga Covid-19 në Michigan. Në të gjithë shtetin ka pasur 32,000 raste dhe të paktën 2,698 vdekje.
Top Channel