Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktorit Rikard Ljarja.
“Iku një emblemë e kinematografisë dhe artit shqiptar, që krijoi për të gjithë ne figura vetëmohuese. Rikard Ljarja është pjesë e vetëdijes artistike të kombit. Ne jemi rritur me personazhet e Ljarjes midis nesh. Ai ka frymëzuar e do të frymëzojë brezat me jetën dhe me personazhet e tij. Me veprën e vet, Rikard Ljarja na la kumtin se madhështia krijohet prej thjeshtësisë dhe përsosmëria prej përkushtimit. Peng për të gjithë ne që nuk e përcjellim siç e meritonte”, shkruan në përmbyllje të mesazhit të tij të ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nisur nga situata e pazakontë e Covid-19.
Aktori, skenaristi dhe regjisori i mirënjohur Rikard Ljarja u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ceremonia mortore për shkak të situatës se krijuar në vend nga Covid-19 do zhvillohet me rrethin e ngushtë familjar në Shkodër, sipas amanetit të aktorit. Rikard Ljarja pas diplomimit, punoi aktor në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio.
Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.
Top Channel