Kosovë/ Infektohen me koronavirus 22 punonjës të shëndetësisë

21/04/2020 19:02

Më shumë se 22 punëtorë të shëndetësisë në Kosovë janë infektuar me koronavirus, ndërsa 130 të tjerë janë në vetizolim, tha për Radion Europa e Lirë, Blerim Syla, Kryetari i Federatës e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Ai shtoi se, bazuar ne informacionet e deritashme, gjendja e tyre është e kënaqshme, por ekziston shqetësimi se numri mund të rritet. Syla i bëri thirrje institucioneve përkatëse të shtojnë kujdesin ndaj masave personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, duke shtuar se “fokusi kryesor është vendosur tek fronti i parë, duke harruar ata që janë në vijën e dytë e të tretë”. Deri më tani, Kosova ka regjistruar 598 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, 123 nga të cilët janë shëruar.

Numri i viktimave të martën ka mbërritur në 16. Ministri në detyrë i Ambientit dhe Infrastrukturës në Kosovë, Lumir Abdixhiku, sakaq, gjatë një konference për shtyp tha se në Kosovë pritet të kthehen 120 qytetarë nga Turqia – shumica prej të cilëve kanë qenë atje për kurim, por janë bllokuar për shkak të situatës që u krijua me Covid 19. Të gjithë të kthyerit, sipas Abdixhikut, do të vendosen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë, për të shmangur kontaktet me njerëz të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA