Ndërsa vendet në gjithë botën përballen me mungesën e spitaleve dhe paisjeve për pacientën me koronavirus, qytete gjermane si Bremeni po pranojnë pacientë nga vendet fqinjë. Dy pacientët e parë janë nga Strasburgu i Francës, vend që po përballet me mbingarkesën e spitaleve. Qyteti teorikisht mund të pranojë më shumë pacientë, sipas zëdhënëses së grupit spitalor Gesundheit North, Karen Matiszick, megjithëse kjo gjendje mund të ndryshojë.
Bremeni aktualisht ka mbi 560 raste dhe 24 vetë kanë vdekur nga virusi, sipas statistikave zyrtare. Aftësia për të pranuar pacientë nga vende të tjera i është atribuar numrit më të ulët të rasteve që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe numrit relativisht të ulët të viktimave në Gjermani, gjë që ka tërhequr vëmendjen e botës. Nga mbi 140 mijë rastet e identifikuara në Gjermani, mbi 4300 kanë vdekur deri të shtunën. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Italia, Spanja dhe Franca kanë regjistruar mbi të paktën 10 mijë raste. Vetëm Italia ka regjistruan 170 mijë dhe mbi 22,000 viktima.
Susanne Glasmacher, një zëdhënëse e Institutit qeveritar Robert Koch përmendi si arsye faktorë të shumtë. “Në fillim, shumica e të prekurve në Gjermani nuk bënin pjesë në ndonjë grup që ishte më i rrezikuar, pasi pjesa më e madhe e infeksioneve ndodhi gjatë pushimeve të dimrit në pistat e skive, gjatë udhëtimeve ndërkombëtare, karnevaleve dhe festave të tjera”, i tha ajo Zërit të Amerikës. Mosha mesatare e personave të diagnostikuar është relativisht e ulët në Gjermani, 49 vjeç në krahasim me Italinë për shembull ku kjo moshë është 62 vjeç.
Mosha mesatare e atyre që kanë vdekur nga virusi në Gjermani është rreth 80 vjeç dhe 87 për qind e të vdekurve ishin mbi 70 vjeç. Edhe në Itali, 83.7 për qind e viktimave ishin mbi 70 vjeç, sipas Institutit Italian të Shëndetësisë. Megjithatë, një numër në rritje rastesh në azilet për të moshuar në Gjermani, kanë ngjallur shqetësime. 41 vetë kanë vdekur në një azil të vetëm në qytetin verior, Wolfsburg. Mosha mesatare aktuale e ulët në Gjermani, në një farë mase mund t’i atribuohet numrit të testeve të kryera, tha zonja Glasmacher.
“Infeksione të identifikuara në një numër më të madh njerëzish me simptoma të buta sesa në vende të tjera ku ndonjëherë testohen vetëm ata që janë të sëmurë rëndë në spitale”, tha ajo. Më një kapacitet prej 500 mijë testimesh në javë, Gjermania bën testime edhe për ata me simptoma të lehta, ose që nuk kanë pasur kontakte me raste të koronavirusit. Muajin e kaluar, Gjermania urdhëroi mbylljen e të gjitha dyqaneve jo të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Grupe me mbi dy vetë nëse nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi nuk lejohen në publik.
Megjithatë, numri i vdekjeve është i lidhur edhe me mbingarkesën e sistemit shëndetësor, thotë zëdhënësja Institutit Robert Koch. “Nëse spitalet mbingarkohen, përqindja e atyre që nuk ndihmohen do të rritet. Prandaj, numri i viktimave mund të ndryshojë në mënyrë drastike në të ardhmen”, tha ajo. Edhe Dietrich Rothenbacher, drejtor i Institutit të Epidemiologjisë dhe Biometrisë Mjekësore në Universitetin Ulm, tha se numri i të vdekurve do të varet nga numri i shtretërve në dispozicion në njësitë intensive të spitaleve.
Ai tha se sipas një studimi të vitit 2012, numri i shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv për 100 mijë banorë, në Gjermani ishte 29.2, në Itali, 12.5, në Francë 11.6 dhe në Angli 6.6. “Kjo ka një efekt pozitiv tek alternativat e trajtimit për rastet e rënda dhe vdekshmërinë”, tha ai. Megjithatë ai tha se duhet pasur kujdes kur krahasohen shifrat e viktimave mes vendeve, pasi në shumë vende ato janë të shtrembëruara dhe nuk paraqesin një tablo reale. “Po të nisesh nga shifrat në përputhje me popullsinë, edhe në Itali COVID-19 nuk do të dukej edhe aq vdekjeprurës”, tha ai. Ekspertët paralajmërojnë se numri i viktimave në Gjermani mund të rritet në javët në vazhdim, pasi Gjermania është në fillim të epidemisë./VOA
Top Channel