Dasma në kohen e gripit spanjoll/ Veprat në shtëpinë e mjeshtrit të akuarelit në Sarandë

19/04/2020 20:47

Lefter Çeko mjeshtri i njohur i akuarelit nga Saranda e ka shndërruar një dhomë të vogël të shtëpisë së tij në studio ku skicon  idetë për vepra të mëvonshme.

Lefteri e përdori këtë periudhë pandemie për të hedhur mendime për të reflektuar jo vetëm rreth vetmisë që krijojnë këto ditë por duke ndërtuar personazhe që në një kohë tjetër ai thotë se nuk do ti kishte krijuar, për të risjellë ngjarje që në një kohë tjetër nuk do vinin.

Lefter Çeko ” Në këto momente je duke ndenjur dhe gjithçka që të vjen ndër mend të ngacmon kuptohet dhe secili sipas pozicionit do fillojë të krijojë dhe hedh mbresa që dikur nuk i vlerësoje, thjesht i dëgjoje me kureshtje dhe tani i skicon dhe i hedh për të bërë një stacion.”

Kjo është një dasmë e para 100 vitesh. Lidhet me gjyshen e piktorit dhe është një dasmë që është zhvilluar në një periudhë të ngjashme me këtë të sotmen nën një tjetër pandemi, atë të gripit spanjoll. Nëse nuk do të kalonim këtë periudhë ndoshta edhe kjo skicë nuk do të ekzistonte dhe as mendimet për kohë të vështira si kjo.

Lefter Çeko ” Fillon historia shpaloset dhe vemi në vitet ’18-’20 kur ra ajo kolera e madhe e në fshatin tonë vdiqën 23 vetë por në atë kohë u martua gjyshi dhe gjyshja dhe më tregonte gjyshja që kur e morën nuse e hipën në kuaj dhe e shoqëruan me pajën sipas traditës pavarësisht se ishte ajo situatë, jeta vazhdonte, pa maska atëherë. Patëm edhe një incident kujtonte ajo, që kur po zbriste nga kali me vello ra por nuk pësoi gjë ”

Shumë motive që po skicohen në këtë studio në shtëpinë e piktorit vijnë nga ato momente që ai i gjen jashtë, figura vetmitare por edhe figura që reflektojnë, figura që meditojnë dhe shikojnë nga e ardhmja.

Lefter Çeko ” Ka një gjë, futesh në një botë që e jeton por tek unë është ajo që njeriu nuk duhet të jetë pesimist. Me këto forma vërtetë jep realitetin e kohës por mund të japësh edhe perspektivën. Dëgjojmë shumë respektojmë shkencën sepse ka ardhur koha që ti heqim kapelen dhe të presim rezultate, por ne me gjuhën tonë bëjmë anën tjetër, fiksojmë historinë nga ana grafike me ngjyra, me psikologjinë edhe  siç sillja rastin e parë para 100 vjetësh, tani historia po përsëritet por atëherë ishim me kuaj kurse tani elektronika ka ecur shumë.”

Si në çdo fushë tjetër edhe në art asgjë nuk do të jetë më njësoj, do të rimodelohet arti dhe do të rimodelohet mënyra sesi ne e perceptojmë, ose të paktën do të skicohet gjatë në memorje kjo periudhë që artistët e jetojnë në mënyrën e tyre.

Si e shikon të ardhmen Lefter?

Lefter Çeko ” Unë jam optimist. Duhet durim dhe me respektin më të madh për shkencën, specialistët do ti dëgjojmë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA