Aeroporti i Rinasit do të hapë portat këtë te shtunë për shqiptarët të cilët kanë mbetur jashtë kufijve për shkak të koronavirusit.
Sot do të nisin fluturimet e para nga Roma dhe Stambolli drejt Shqipërisë për riatdhesimin e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufinjëve si pasojë e masave të marra për parandalimin e koronavirusit. Ky proces do të vijojë sot dhe nesër dhe të gjithë ata persona të cilët do të rikthehen në atdhe janë të detyruara të karantinohen në një nga hotelet e Durrësit për 14 ditë.
Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurit, Parisi dhe Londra. Shtetasit të cilët dëshirojnë të kthehen, ashtu sikundër është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, duhet që më parë të bëjnë rezervimin e hotelit, të vendosura në dispozicion, ku do të karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, së bashku me pagesën, dhe më pas të bëjnë rezervimin e biletës.
E gjithë kjo procedurë mund të bëhet përmes aksesimit të faqes së kompanisë Air Albania, ku duhet të ndjekin procedurat e parashikuara.
Shteti do të marrë përsipër gjysmën e shpenzimeve, pasi udhëtimi nga Roma drejt Tiranës dhe qëndrimi në hotel do i kushtojë një emigranti shqiptar 198 euro, ndërsa qeveria do të paguajë 196 euro. Kosto e biletës do të variojë sipas destinacioneve, ndërsa pagesa e hotelit karantinë do të jetë fikse.
Hapat që do të ndiqni:
Të gjithë bashkëatdhetarët që kërkojnë të riatdhesohen, ju njoftojmë se duke filluar nga dita e enjte datë 16 Prill 2020, të gjithë të interesuarit mund të prenotojnë udhëtimin e tyre të kthimit në atdhe duke ndjekur hapat e mëposhtëm:
1. Në webfaqen e Air Albania do të gjeni seksionin Udhëzim për Riatdhesimet në të cilin do të gjeni linkun për rezervimin e hotelit ku do të kalohet karantinimi sipas protokollit të sigurisë të hartuar nga Qeveria Shqiptare.
2. Pasi të pranohen kushtet e karantinimit, vijohet me rezervimin e hotelit në link: https://harmoniahotelsgroup.com/akomodim-14-dite-ne-harmonia-hotels-group/ .
3. Pasi të kryhet pagesa e hotelit, ju do të merrni një faturë automatike të rezervimit të cilën duhet ta ruani deri në fund të udhëtimit.
4. Në një email të dytë nga sistemi I hotelit, ju do të pajiseni me një Kod Promocional unik, me anë të të cilit do të mund të kryeni rezervimin e biletës së avionit. Ritheksojmë se ky kod është I domosdoshëm për të finalizuar rezervimin e biletës.
5. Kod promocional unik mund të përdoret vetëm nga një person I rritur ose nga një fëmijë mbi 2 vjeç. I vetmi rast kur ky kod mund të përdoret nga dy persona është për fëmijët nën moshën 2 vjeç.
6. Pasi të realizohet me sukses rezervimi dhe pagesa e biletës, ju do të merrni me email biletën tuaj.
7. Përpara udhëtimit, në pikën e check in, është e nevojshme të firmosni formularin me kushtet e karantinimit, për të vazhduar më tej me udhëtimin tuaj të rikthimit në atdhe.
Për më shumë informacion ju mund të kontaktoni Call Center në +355 4 22 46 000 ose me email në [email protected]
Gjithashtu për të gjithë ata shtetas të huaj apo Shqiptarë, të cilët plotësojnë kushtet aktuale për të udhëtuar drejt Italisë të pajisur me pasaportë të huaj apo leje pune/leje qëndrimi mund të kontaktojnë Call Center në +355 4 22 46 000 për të marrë informacionin e nevojshëm
Top Channel