Shifrat e ulëta të raportuara sot nga institucionet shtetërore kanë ngritur optimizmin dhe të Akademisë së Shkencave, e cila me buletinin e saj të përditshëm thekson se tashmë se numri i të shëruarve është 55%.
”Dita e fundit shënjon disa tregues pozitivë për konfirmimin e fazës së daljes nga pandemia në Shqipëri. Me 9 raste të reja të sëmurësh nga Corona-virus-i gjatë 24 orëve të fundme dhe 19 të shëruar të rinj plus, rivendosen ritmet e pritshme pozitive. Kështu, numri i të shëruarve gjithsej shkon në 55 për qind, përkundrejt numrit të të sëmurëve faktikë, që është 40 për qind, çka përforcon tendencën e uljes së kurbës së të sëmurëve faktikë. Sinjal tjetër pozitiv është frenimi i vatrës së dytë, Shkodrës, pa të prekur të rinj gjatë ditës së djeshme”, thuhet në raportin e plotë të ASH-së.
Raporti i plotë
Në Shqipëri rivendosen ritmet e pritshme pozitive të daljes nga pandemia: numri i të shëruarve arrin në 55 për qind të të sëmurëve gjithsej
Në Kosovë, pas një jave ringritje, frenohet ritmi i përhapjes së pandemisë
Ulje në shifra absolute e numrit të të sëmurëve faktikë në shumë vende të kontinentit: listës i shtohen dhe Islanda, Kroacia, Danimarka, Finlanda; Italia dhe Spanja në prag të fillimit të uljes së kurbës
(Vlerësim i ekspertëve të E-group-it “Në ndjekje të pandemisë” të Akademisë së Shkencave për shkallën e përhapjes, kontrollit dhe zotërimit të pandemisë në Shqipëri, Europë dhe në shkallë botërore)
- Dita e fundit shenjon disa tregues pozitivë për konfirmimin e fazës së daljes nga pandemia në Shqipëri. Me 9 raste të reja të sëmurësh nga Corona-virus-i gjatë 24 orëve të fundme dhe 19 të shëruar të rinj plus, rivendosen ritmet e pritshme pozitive. Kështu, numri i të shëruarve gjithsej shkon në 55 për qind, përkundrejt numrit të të sëmurëve faktikë, që është 40 për qind, çka përforcon tendencën e uljes së kurbës së të sëmurëve faktikë. Sinjal tjetër pozitiv është frenimi i vatrës së dytë, Shkodrës, pa të prekur të rinj gjatë ditës së djeshme.
- Ulje të ritmit të shtimit të numrit të të prekurve të rinj pati gjatë ditës së djeshme në tërësi edhe në shkallë botërore dhe europiane. Në gjithë Botën treguesi i rritjes ditore ka qenë në nivelin 4 për qind, nga 4.55 që ishte një ditë më parë. Franca, Spanja, Italia dhe Gjermania patën një rritje nga 1.3 për qind deri në 3.2 për qind. Ky tregues pozitiv u shoqërua me shifra rekord të shëruarish: mbi 6.000 në Gjermani dhe rreth 2.500 në Itali. Me këta tregues Gjermania thellon ritmin e daljes nga pandemia, ndërsa Italia mbërrin në fillimin e uljes së kurbës. Listës së vendeve që gjenden tashmë në fazën e uljes së numrit të të sëmurëve faktikë, krahas Austrisë, Zvicrës, Gjermanisë dhe Shqipërisë, i shtohen dhe Islanda, Danimarka, Kroacia dhe Finlanda.
- Vendet e Lindjes, si Polonia, Rumania dhe Çekia; si dhe vendet e Ballkanit vazhdojnë të kenë përhapje të kufizuar të pandemisë, me tregues të ulët dhe ritme të kontrolluara përhapjeje, që variojnë nga nën 1 për qind në Greqi deri në 5.8 për qind në Poloni e Bullgari./Shqip/
- Në Kosovë, pas një jave ringritjeje, fatmirësisht u frenua ritmi i përhapjes së pandemisë. Gjatë pesë ditëve të fundit shtimi i numrit të të sëmurëve të rinj ditorë ishte me një ritëm 6.9 për qind në ditë, çka flet për një rritje të kontrolluar të shkallës së përhapjes së sëmundjes.
- Treguesi i vdekshmërisë shkaktuar nga pandemia në rajon mbetet nën 5 për qind. Në nivel botëror ky tregues ka arritur në 7 për qind, ndërsa për vendet e mëdha europiane dhe Britaninë e Madhe kalon mbi 10 për qind. Humbjet në jetë njerëzore gjatë ditës së djeshme vazhduan të ishin të larta, por pritet ulje e tyre. Edhe në Gjermani ky tregues është përkeqësuar, nga 2 për qind në 3 për qind, duke regjistruar numër të lartë të jetësh njerëzore të humbura gjatë tri ditëve të fundit.
Top Channel