Burime qeveritare në Afganistan thonë se të paktën 20 zyrtarë që punojnë në pallatin e presidentit të Afganistanit, Ashraf Ghani, kanë dalë pozitiv në testin e COVID-19.
Kjo ka bërë që udhëheqësi 70-vjeçar të kufizojë pjesën më të madhe të kontaktit të tij me stafin dhe atë ta zhvillojë online.
“Një dokument i kontaminuar u dërgua në një zyrë brenda pallatit nga një departament tjetër qeveritar dhe kjo ishte mënyra se si u infektuan punonjësit”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Sediq Sediqqi, zëdhënësi i presidentit, tha se Komisioni i Shërbimit Civil tashmë ka kërkuar nga punonjësit e qeverisë të qëndrojnë në shtëpi.
Deri më tani në Afganistan janë konfirmuar 933 raste të të infektuarve, ndërsa 30 njerëz kanë vdekur, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët shëndetësorë afganë thonë për shkak të testimeve të kufizuara, numri i rasteve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë se sa raportohet .
Ministria e Shëndetësisë në Afganistan ka paralajmëruar se nëse nuk përmirësohen masat e kontrollit në të gjithë vendin, vendi po shkon drejt një katastrofe në të cilën miliona njerëz mund të infektohen.
Top Channel