Profesori i epidemiologjisë gjenetike: Suedia nuk i ka mbrojtur mjaftueshëm të cenueshmit

17/04/2020 05:15

“Niveli në të cilin Suedia ka mbrojtur më të cenuarit është i diskutueshëm, pasi ne e dimë se koronavirusi është i pranishëm në spitale dhe shtëpi pleqsh, gjë që çon në përfundimin se strategjia nuk e ka mbrojtur sa duhet popullatën më të cenueshme nga virusi”. Kështu e komenton strategjinë e Suedisë në luftë kundër pandemisë Paul Franks, profesor i epidemiologjisë gjenetike në Universitetin Lund të Suedisë dhe zëvendësdrejtor në Qendrën e Diabetit në këtë univesitet.

Sipas informatave të fundit, në Suedi janë të infektuar më shumë se 11,900 njerëz, ndërkaq si pasojë e sëmundjes COVID-19 kanë vdekur më shumë se 1,200 persona. Megjithatë, Suedia ka një ndër qasjet më të buta për të luftuar një pandemi, nga e cila më shumë se 128,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë botën. Njerëzit këshillohen që të punojnë nga shtëpia nëse munden, të shmangin udhëtimet nëse nuk është e nevojshme, shkollat janë të hapura dhe ndër të vetmet masa është ndalimi për tubimin e më shumë se 50 personave si dhe vizitat e shtëpive të pleqve.

Por, sipas profesorit Franks, virusi është përhapur në spitale dhe në shtëpi për persona të moshuar, prandaj siç thotë ai, nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për strategji të suksesshme. “Për ta quajtur të suksesshme, do të duhej që pjesëtarët e asaj popullate të jenë të mbrojtur dhe të mos kishim kaq shumë raste të vdekjeve, si dhe të mos kemi prani të virusit në ato pjesë, ashtu siç e kemi ne”, sqaron Franks.

Ai gjithashtu, thekson që edhe pse nuk është qëndrim zyrtar i autoriteteve, qasja e Suedisë po lëviz në drejtim të arritjes së imunitetit masiv, por që virusi mund të pësojë mutacion (ndryshim) dhe nëse përdoret vaksina për arritjen e imunitetit masiv, që të jetë funksionale, duhet të ketë efekt në të gjitha versionet e virusit SARS-CoV-2. “Mund të jetë që COVID-19 është problem sezonal, diçka që në fakt nuk do të largohet asnjëherë, sikurse gripi dhe koronavirusët tjerë që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, ndërkohë që ende qarkullojnë në popullatë, shkojnë dhe vijnë”, theksoi Franks./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA