“Ky është Dritëroi im”/ Del libri që nisi bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Sadije Agolli

17/04/2020 20:37

Në këtë interviste të fundit për Top Channel, Sadije Agolli ndër të tjera më tha që ishte duke punuar në lidhje me botimin e librit me kujtime nga personalitete të ndryshme për shkrimtarin Dritëro Agolli. Ja se çfarë shkruante ajo në ditarin e saj më 3 janar të 2013.

“Edhe Lona, edhe unë nuk e kemi marrë në telefon njëra-tjetrën. Ja tani, ora 9.39 fola me Lonën gjerë e gjatë për librin, që mendojmë të botojmë për Dritëroin, me kujtime të miqve, të shokëve, të kolegëve, të  bashkëpunëtorëve, që e kanë njohur. Do të jetë libër i vështirë, sidomos për mua që hyra në vitin e 77-të.”

Ndërsa mëngjesi vinte dhe drita binte në dritaret e sallonit të tij këtu ku jemi ulur ne; Ai nuk harronte të thoshte: Hapni pak perden të hyjë drita, sepse do më mungojë shumë në jetën e pafrymë. Ky është Dritëroi i parë nga zemra dhe sy të ndryshme. Në epoka po ashtu të ndryshme të jetës së tij. Dhe ne jemi pikërisht bë kolltukun ku ata të dy uleshin.

Ky është Dritëroi im është një vepër që e dëshmon më së miri atë që një ndër autorët e këtyre kujtimeve ka shkruar; Jo çdo njeri me zemër të bardhë mund të jetë poet, por që patjetër që nuk ekziston poet pa një zemër të madhe.

/Jetona Koçibelli/

Top Channel