Britania e Madhe ka shtyrë izolimin për shkak të koronavirusit të paktën edhe për tre javë të tjera. Kjo u konfirmua nga sekretari i jashtëm, Dominic Raab të enjten ndërsa qindra persona në të gjithë vendin vazhdojnë të humbin jetën çdo ditë si pasojë e epidemisë.

“Qeveria ka vendosur se masat aktuale duhet të qëndrojnë në fuqi të paktën edhe për tre javët e ardhshme. Çdo relaksim i masave aktuale do të rrezikonte të dëmtonte shëndetin publik por edhe ekonominë tonë”- tha Raab.

Dominik Raab, po zëvendëson kryeminsitrin Boris Johnson që po rimerr veten nga koronavirusi. Sipas të dhënave, numri i rasteve të reja po stabilizohet në Britaninë e Madhe, e ndoshta do të fillojë të bjerë. E njëjta gjë po ndodh edhe me shtrimet në spital. Por kjo tendencë, paralajmërojnë zyrtarët, do të vazhdojë vetëm nëse publiku do të vazhdojë të respektojë distancimin social.

Shtyrja e masave kufizuese në Britaninë e Madhe vjen në një kohë kur vende të tjera evropiane kanë filluar të shohin drejt zbutjes së tyre. Por, shteti ishullor duket se ende nuk ka mbërritur në atë fazë sa për të lejuar hapjen graduale. Edhe shteti i Nju Jorkut, në SHBA, ka njoftuar të enjten se do të mbetet i mbyllur edhe një muaj tjetër, deri më 15 maj.

Guvernatori Endriu Cuomo zgjati masat e izolimit dhe mbylljes së aktiviteteve jo të domosdoshme edhe për muajin në vijim, pavarësisht qëndrimit të kundërt të presidentit Donald Trump. Kjo pasi shteti i Nju Jorkut ka shënuar edhe 606 viktima të tjera 24 orët e shkuara për ta çuar totalin në 12192 persona.

Top Channel