Disa muaj për parë Tirana u trondit nga vrasja e ish efektivit të policisë Santigo Malko. Ditën e sotme është bërë arrestimi i dytë në lidhje me këtë ngjarje ku sipas burimeve për Top Channel është vënë në pranga Ilir Selmani.
Personi i parë që është arrestuar për këtë ngjarje është Blendi Teta.
Selmani është arrestuar në zonën pranë maternitetit të ri. Në lidhje me ngjarjen vijon të jenë të shpallur në kërkim Leonard Duka; Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.
Nga kamerat e sigurisë që kanë fiksuar ngjarjen e rëndë në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku u vra Santiago Malko, Ilir Selmani është parë që zbret nga një makinë dhe mbledh nga toka bishtat e cigareve që kishte konsumuar më herët Blendi Teta, duke i hedhur në koshin e mbeturinave. Disa muaj më parë, ai ishte subjekt i OFL-së, ku i kërkohej të justifikonte pasurinë pas dyshimeve se është formuar nga bota e krimit.
Njoftimi i policisë i bënë më herët në lidhje me ngjarjen:
Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së 26-vjeçarit S. M.
Shpallen në kërkim 8 persona.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .
Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit S. M., Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku u vra me armë zjarri shtetasi S. M.
Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019 , Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar punën hetimore dhe procedurale të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. T., banues në Tiranë .
Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .
Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.
/Ariglon Pali/
Top Channel