Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte e ftuar me anë të një lidhje “Skype” Administratorja e “Hako SH.P.K”, Antonela Hako.
Gjatë fjalës së saj, Hako u shpreh se është dakord me masat e marrë qeveria, të cilat janë rezultat i numrit të pakët të vdekjeve dhe të infektuarve, si pasojë e koronavirusit në vendin tonë. Ndërkohë ajo tha se sektori që është prekur më së shumti është turizmi, por për ta rimëkëmbur ajo ka një zgjidhje. “T’i bëjmë pushimet këtë verë në Shqipëri”, thotë Antonela Hako dhe në këtë mënyrë konsumatorët shqiptar t’i vijnë në ndihmë sektorit të turizmit dhe rrjedhimisht të gjithë biznesit në tërësi.
“Në fakt duhet të kishin filluar kontratat, por me atë që shoh unë të gjithë janë të stepur tek turizmi. Është sektori që është cenuar më shumë, në të gjithë botën por në Shqipëri shumë. Me bisedat që kam pasur me klientët dhe miqtë e mi, nuk kanë rezervime apo anulime të rezervimeve. Por unë mendoj që t’i marrim gjërat pak më me optimizëm, sepse meqenëse në Shqipëri falë masave që janë marrë dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve, kjo pandemi nuk është bërë kaq agresive, le të mendojmë që do të kemi pronotime pas datës 10. Tek e fundit ta shohim si një pikënisje që shqiptarët të bëjnë pushimet në Shqipëri. Që do të thotë, Shoqata e Turizmit, së bashku me hoteleritë dhe resortet në të gjithë vendin dhe kudo që kanë mundësi qytetarët shqiptar, për të bërë pushime të bukura, t’i bëjmë pushimet në Shqipëri. Të kemi mundësi ta njohim vendin më shumë. Unë e kuptoj që ka shumë pikëpyetje për shërbimin dhe për çmimet, por le të ndërgjegjësohemi them unë. Ta marrim me sportivitet dhe jo vetëm me ankesa”, u shpreh Hako.
Top Channel