Masat për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale të pandemisë së koronavirusit në Shqipëri, zhvillimi i procesit arsimor si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, ishin në qendër të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga presidenti Meta.
Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit, kryeparlamentari Ruçi dhe kreu i PD-së, Basha ishin të pranishëm në mbledhjen e zhvilluar online. Meta e vuri theksin te mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, ekonomisë dhe përmbyllja e vitit shkollor, ndërsa Basha paraqiti sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta.
Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës. Kreu i qeverisë pas takimit tha se kjo ishte një mbledhje e gjatë por e dobishme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe një shkëmbim i hapur opinionesh me Presidentin dhe kryetarin e PD për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim.
Top Channel