Bota në karantinë! Ursula von der Leyen: Evropa duhet t’i kërkojë falje Italisë

16/04/2020 12:28

“Është e vërtetë që shumë munguan kur Italia kishte nevojë për ndihmë në fillim të pandemisë. Kjo është e vërteta, Unioni tani duhet t’i kërkojë Italisë dhe po e bën. Por një falje është e vlefshme vetëm nëse ajo ndryshon sjelljen. U desh shumë kohë që të gjithë të kuptojnë se ne duhet të mbrojmë njëri-tjetrin. Tani zemra e BE-së rreh për solidaritetin dhe qëndron krah atyre që duhen ndihmuar më shumë”, u shpreh presidentja gjermane e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në sallën e Parlamentit Evropian.

Von der Leyen ceku egoizmin e atyre partnerëve, të cilët në fillim të krizës shëndetësore nuk e ndihmuan Italinë, e goditur fort nga Covid-19.

Një javë më parë, krerët e shteteve dhe qeverive diskutuan kërkesat e Francës, Italisë dhe Spanjës për të lëshuar Obligacione Rimëkëmbjeje të afta për të parandaluar recesionin shkatërrues ekonomik nga koronavirusi që penalizon kombet edhe për shkak të borxhit të madh publik. Pak ditë më parë, ministrat e Financave të BE-së kanë gjetur gjuhën për një marrëveshje të përbashkët në lidhje me një paketë financare prej 500 miliardë eurosh për të mbështetur sistemin shëndetësor, ruajtjen e vendeve të punës, likuiditetet për bizneset dhe fondin për një plan ringjalljeje ekonomike në situatën pandemike.

Hipoteza e eurobonove nuk është gjithsesi e përjashtuar plotësisht për të financuar Planin e Rimëkëmbjes, pavarësisht se Holanda dhe Gjermania janë shprehur kundër. Qeveria Holandeze ka kërkuar që ndihma finaciare në suazën e eurobonit të jepet me kushte, kurse kancelarja Merkel deklaroi se ekzistojnë mekanizma të tjerë ndihmues pa prekur rregullat e Mekanizmit Europian të Stabilitetit.

Ndërkohë Ursula von der Leyen së bashku me kreun e Këshillit Europian, belgun Charles Michel, po punon për të provuar të nxisë një marrëveshje midis udhëheqësve të shteteve të BE-së për eurobonot.

“Askush nuk duhet të fajësohet për këtë krizë”, tha Von der Leyen si për të pastruar fushën e akuzave që vendet e Mesdheut kanë për nordikët dhe anasjelltas.

 

Top Channel