Sipas të dhënave të Universitetit amerikan Johns Hopkins, numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA ka tejkaluar shifrën 25 mijë. Të dhënat e përpiluara nga universiteti thonë se në SHBA kanë humbur jetën gjithsej 25.239 persona, ndërsa janë konfirmuar gjithsej 598.670 raste të infektimit me COVID-19.
SHBA vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga virusi, ndërsa Italia ka raportuar gjithsej 21.067 vdekje dhe Spanja 18.056. Sipas të dhënave, rreth 45 mijë pacientë janë shëruar nga sëmundja në SHBA.
New York është shteti më i goditur amerikan, me gjithsej 10.834 vdekje dhe mbi 202 mijë raste të konfirmuara, ndërsa i dyti është New Jersey me 2.805 vdekje dhe 68.800 raste të konfirmuara. Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.
Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i personave të infektuar nga COVID-19 është pothuajse 2 milionë, me mbi 125 mijë të vdekur dhe mbi 470 mijë të shëruar.
Top Channel