Presidenti Trump minimizoi kërcënimin e koronavirusit në shkurt

15/04/2020 03:03

Videoja e stilit të fushatave politike e Shtëpisë së Bardhë që promovon mbrojtjen e veprimeve të Presidentit Donald Trump kundër koronavirusit në fillim të këtij viti, anashkaloi veprimet e tij gjatë gjithë muajit shkurt, kur ai shpesh i minimizoi shqetësimet për këtë sëmundje. Në fund të janarit, Presidenti Trump vendosi kufizime mbi udhëtimet nga Kina, ku virusi shpërtheu për herë të parë. Nga mesi i marsit, ai shpalli emergjencën kombëtare. “Kjo është një pandemi,” tha Presidenti Trump në një konferencë shtypi më 17 Mars. “E ndjeja se ishte një pandemi shumë kohë përpara se të quhej pandemi”.

Por në shkurt, ndërsa kërcënimi i koronavirusit po rritej në të gjithë botën, dhe rastet e para u shfaqën në Shtetet e Bashkuara, Trump e minimizoi kërcënimin. Tani, presidenti po përpiqet të mbrohet nga raportimet që tregojnë se ai ishte paralajmëruar në shkurt në lidhje me përhapjen e virusit në Shtetet e Bashkuara, madje ndërsa ai hodhi poshtë publikisht shqetësimet për këtë dhe tha se zyrtarët shëndetësorë e kishin sëmundjen nën kontroll. Kritikët thonë se shkurti ishte një mundësi e humbur për të vepruar më shpejt në rekomandimin për distancim shoqëror, një masë që Presidenti Trump e miratoi në mes të marsit dhe më pas e zgjati deri në fund të prillit. Më vonë, ai tha se Amerikanët duhet të konsiderojnë përdorimin e maskave në publik, megjithëse ai tha se nuk e kishte ndërmend ta bënte këtë personalisht.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara tani ka arritur në mbi 23,000, ndërsa ai i infektuarve në mbi 582,000. Këto janë shifrat më të larta se në çdo vend tjetër, megjithëse zyrtarët këtë javë thanë se numri i rasteve të reja është duke u ulur, duke sugjeruar se kërcënimi i koronavirusit mund të ketë arritur kulmin në Shtetet e Bashkuara. Këto janë disa nga komentet e Presidentit Trump në shkurt në lidhje me koronavirusin:

10 shkurt në Shtëpinë e Bardhë: “Tani, virusi për të cilin ne po flasim, ju e dini, shumë njerëz mendojnë se ikën në prill me nxehtësinë, pasi të vijë vala e të nxehtit. Në mënyrë tipike, kjo (sëmundje) do të largohet në prill. Ne jemi në gjendje të shkëlqyeshme. Kemi 12 raste, 11 raste, dhe shumë prej tyre janë në gjendje të mirë tani. ”
23 shkurt në konferencë me gazetarët: “Ne e kemi atë kryesisht nën kontroll në këtë vend.”
24 shkurt në Twitter: “Koronavirusi është kryesisht nën kontroll në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi në kontakt me të gjithë dhe të gjitha vendet relevante. CDC (Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve) & Organizata Botërore e Shëndetësisë po punojnë shumë dhe janë shumë të zgjuar. Tregu i aksioneve po fillon të duket shumë mirë!”
26 shkurt në Shtëpinë e Bardhë: “Pra, ne jemi në nivelin e ulët. Ndërsa ata përmirësohen, ne i heqim ata nga lista, kështu që së shpejti do të kemi vetëm pesë persona (të infektuar). Dhe ne mund të jemi në një ose dy persona gjatë periudhës tjetër të shkurtër kohore. Pra, kemi pasur fat shumë të mirë. ”
26 shkurt në një konferencë për shtyp: “Dhe përsëri, kur ju keni 15 njerëz (të infektuar), dhe brenda dy ditëve kjo shifër do të zbresë deri në zero, kjo është një punë shumë e mirë që ne kemi bërë.”
27 shkurt në një takim të Shtëpisë së Bardhë me udhëheqësit afrikano-amerikanë: “Do të zhduket. Një ditë, si një mrekulli, do të zhduket.”
29 shkurt në një fjalim para konservatorëve: “Dhe unë kam filluar t’i njoh mirë këta profesionistë (të kujdesit shëndetësor). Ata janë të jashtëzakonshëm. Dhe gjithçka është nën kontroll. Dua të them se ata janë shumë, shumë të mirë. Ata e kanë bërë atë, dhe ata e kanë bërë mirë. Gjithçka është me të vërtetë nën kontroll.”

Në fillim të marsit, përpara shpalljes së emergjencës kombëtare në mes të muajit, Presidenti Trump vazhdoi të minimizonte kërcënimin për Shtetet e Bashkuara. Më 9 mars, ai postoi këtë mesazh në Twitter: “Vitin e kaluar 37,000 amerikanë vdiqën nga gripi i zakonshëm. Mesatarisht mes 27,000 dhe 70,000 në vit (vdesin nga gripi). Asgjë nuk mbyllet, jeta dhe ekonomia vazhdojnë. Në këtë moment ka 546 raste të konfirmuara të koronavirusit, dhe 22 vdekje. Mendoni për këtë!”

Një ditë më vonë, ai u tha senatorëve republikanë, “Ne jemi të përgatitur dhe po bëjmë një punë të shkëlqyeshme për këtë çështje. Dhe (virusi) do të largohet. Vetëm rrini të i qetë. (virusi) Do të largohet.” Në konferencën për shtyp të hënën në mbrëmje, ku u shfaq videoja tre-minutëshe që vinte në pah veprimet e tij ndaj koronavirusit, Trump hodhi poshtë heqjen e komenteve të tij të shkurtit dhe në vend të kësaj sulmoi gazetaren e kanalit CBS News, Paula Reid për pyetjet e saj mbi këtë çështje. “Muaji shkurt,” tha gazetarja Reid. “Kjo video ka një hendek, tërë muajin shkurt. Çfarë bëri administrata juaj në shkurt me kohën që ju dha kufizimi i udhëtimeve? ”

“Shumë,” u përgjigj Presidenti Trump.
“Çfarë?”, pyeti Reid.
“Shumë,” tha Presidenti Trump. “Dhe në fakt, ne do t’ju japim një listë të gjërave që kemi bërë. Dhe në fakt, një pjesë e tyre ishte në videon e shfaqur. Ne bëmë shumë.”
“Nuk ishte në video,” tha gazetarja Reid. “Videoja kishte një hendek.”
“Shikoni. Shikoni. Ti e di që je e rreme,”, u përgjigj Trump. “Ti e di këtë? I gjithë rrjeti juaj, mënyra si e mbuloni është e rreme.”

Fushata për rizgjedhjen e Presidentit Trump tha më vonë se gjatë shkurtit administrata e tij u angazhua në shpërndarjen e pajisjeve të testimit në pikat e nxehta të koronavirusit në vend, heqjen e burokracive për të filluar zhvillimin e një vaksine, e cila mund të jetë një vit larg përdorimit, dhe bëri kërkesën e parë të financimit të urgjencës kombëtare te Kongresi. Ndërsa urgjenca u bë e qartë në Shtetet e Bashkuara, Trump më 27 mars nënshkroi në ligj një paketë financiare shpëtimi për koronavirusin prej 2 trilionë dollarësh për të ndihmuar rreth 90 për qind të amerikanëve, 17 milionë amerikanë të pushuar nga puna dhe bizneset e goditura më rëndë nga pandemia./VOA

Top Channel