Kryebashkiaku Veliaj dhe ambasadori italian Fabrizio Bucci dhurojnë gjak për njerëzit në nevojë

15/04/2020 14:04

Krahas punës së përditshme për pastrimin dhe marrjen e masave nëpër tregjet publike, Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Italisë në Tiranë, në bashkëpunim me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, organizuan dhurim vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Nismës iu bashkua sot edhe kryebashkiaku Erion Veliaj me ambasadorin italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci, të cilët ftuan qytetarët të kontribuojnë për bankën e gjakut, aq shumë të domosdoshme për njerëzit që kanë nevojë. Veliaj falenderoi ambasadorin italian, ndërsa theksoi se aftësia e një kombi dhe e një komuniteti është që të menaxhojë të gjitha nevojat.

“I jam shumë mirënjohës ambasadorit italian që ka organizuar një fushatë për dhurimin e gjakut. Ndonjëherë, kriza e radhës na mbulon krizat e tjera; ndodh të harrojmë shpejt tërmetin sepse kemi epideminë, por ndërkohë me tërmetin dhe epideminë, harrojmë talaseminë dhe nevojat e tjera për gjak. Aftësia e një kombi, e një komuniteti është të mbajë fokusin në të gjitha krizat që duhen menaxhuar; pra, edhe epideminë ta menaxhojmë me seriozitet, edhe pasojat që la pas tërmeti t’i rikuperojmë, ama mos të harrojmë përditshmërinë e disa nevojave, siç janë nevoja për dhurimin e gjakut”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo periudhë tregoi edhe njëherë lidhjen e veçantë që kanë Shqipëria dhe Italia. Duke falënderuar ambasadën Italiane që iu bashkua nismës për dhurimin e gjakut, Veliaj theksoi se Italia njihet për artin, për kulturën, për modën, për ushqimin, por mbi të gjitha për solidaritetin si një komb i hapur dhe bashkëpunues.

“Sot kemi dhënë atë kontributin e përditshëm për marrëdhëniet e dy popujve, që mbi të gjitha i bashkon solidariteti dhe pastaj të tjerat. Kështu që, mezi pres që javën tjetër t’ia kalojmë stafetën një institucioni tjetër sepse veç kështu tregojmë që ne dimë të menaxhojmë disa kriza njëkohësisht, edhe pandeminë, edhe tërmetin, edhe nevojat e përditshmërisë”, u shpreh kryebashkiaku.

Ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci u shpreh se është një detyrë qytetare për të gjithë që të japin kontributin e tyre, sado të vogël, në ndihmë të njerëzve në nevojë. “Kjo është një ditë e rëndësishme për dhurimin e gjakut. Unë kam dhuruar gjak vazhdimisht, në Itali, që kur isha i ri, gjatë periudhës së studimeve në Universitet. Mendoj se është një detyrë qytetare për të gjithë ne, të japim kontributin tonë, sado të vogël. Jemi në dijeni se ka një mungesë gjaku në spitalet shqiptare, ndaj edhe morëm këtë iniciativë. Ambasada është gjithnjë pranë miqve tanë, pranë Shqipërisë dhe kur është e nevojshme, ne ndërhyjmë. Jam i kënaqur nga prania e kryetarit të Bashkisë, nga prania e gjithë mjekëve tanë, të gjithë dhuruesve që sot do të dhurojnë gjak. Është diçka e rëndësishme! Le të dhurojmë gjak sepse bën mirë për të gjithë ne”, nënvizoi ambasadori Fabrizio Bucci.

Nisma e dhurimit të gjakut do të vijojë edhe në ditët në vijim për të ndihmuar fëmijët talasemikë me nevojat për gjak, por edhe njerëzit e tjerë në nevojë këto ditë të vështira si pasojë e COVID-19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA