“Krizë e pashembullt”/ Von der Leyen: Evropës i duhet një Plan i ri Marshall për t’iu përgjigjur koronavirusit

15/04/2020 13:43

Gjatë konferencës së sotme për shtyp në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, Belgjikë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se buxheti i ri afatgjatë i BE-së do të duhet të jetë një përgjigje “e fortë” ndaj krizës së koronavirusit.

“Unë shpesh kam thënë në të kaluarën se Evropës i duhet një Plan i ri Marshall,” tha ajo, duke iu referuar paketës stimuluese prej shumë miliardë dollarëve amerikanë për të rindërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. “Ne kemi nevojë për investime masive publike dhe private për të ringjallur ekonominë, ristrukturuar atë dhe për të krijuar vende të reja pune.”

“Çelësi për këtë është një buxhet i ri i fortë i BE-së. Buxheti ka avantazhin që gëzon besim, besim të të gjitha vendeve anëtare. Ky buxhet i ri 7-vjeçar duhet të dallohet nga ai i mëparshmi. Ai do të jetë i ndryshëm. Ai do të jetë përgjigja evropiane ndaj krizës së koronavirusit.”

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se Evropa po përballet me një krizë “të madhe dhe të pashembullt”. Ai tha se drejtuesit e bllokut do të duhet të përqëndrohen në “nevojën – domosdoshmërinë absolute – për të zhvilluar një strategji masive investimesh” për të rindërtuar sapo të kalojë kriza e koronavirusit.

Top Channel