Sërish konflikt Greqi-Turqi për emigrantët? Sateliti filmon lëvizjet e dyshimta

14/04/2020 20:45

Një kamp refugjatësh në Turqi po përgatitet të lejojë dhjetëra mijëra emigrant, për të shkuar drejt Greqisë, dhe për këtë mediat e huaja i referohen imazheve të siguruara nga satelitët. Nga krahu tjetër autoritetet greke kanë rritur numrin e rojeve bregdetare, forcave ajrore dhe patrullës së marinës, për t’u përgatitur për një eksod të mundshëm emigrantësh, kryesisht sirianë.

Imazhet satelitore të marra në Turqi, tregojnë grupe emigrantësh që po zhvendosen nga zonat e brendshme turke, drejt zonave bregdetare. Zonat përgjatë bregut perëndimor të Turqisë, shfrytëzohen nga kontrabandistë të paligjshëm, që merren me trafikimin e refugjatëve, drejt ishujve të afërt grek, me anë të anijeve. Kjo situatë e tanishme e emigracionit, kujton krizën e viteve 2015-2016 kur miliona njerëz, kryesisht të ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme(shkaqe lufte dhe ekonomike) dhe Azi (shkaqe ekonomike), mbërritën në BE përmes Turqisë dhe Greqisë.

Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, konfirmoi se autoritetet kanë parë “shenja aktiviteti” në brigjet e Turqisë.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur të drejtat tona sovrane dhe për të ruajtur kufijtë e Greqisë dhe Evropës”, tha Petsas.

Sakaq, sipas një marrëveshje të vitit 2016, Turqia ra dakord të frenojë valën e refugjatëve në Evropë në këmbim të ndihmës financiare. Por që nga ajo kohë, ajo ka protestuar se BE nuk ka arritur të respektojë marrëveshjen. Po ashtu, më 28 shkurt të 2020, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u zotua se do të mbajë kufijtë e hapur për refugjatët sirianë, të cilët duan të drejtohen drejt vendeve Evropiane.

Ndërkohë që nga ajo kohë, e deri më tani, përleshjet e përditshme midis policisë kufitare dhe azilkërkuesve kanë shpërthyer në kufirin tokësor mes Greqisë dhe Turqisë, shkruajnë mediat e huaja.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel