Një grua në Birimingham të Britanisë së Madhe, filloi të debatonte ashpër me punëtorët dhe klientët në një supermarket, pasi sipas saj ata nuk respektonin distancimin social.
Në videon e bërë virale, shikohet gruaja e cila filloi të godiste një klient, për të cilin besonte se ishte punonjës i supermarketit, pasi sipas saj ai nuk po respektonte distancimin social. Ndërkohë pjesë e debatit është bërë dhe pronari i dyqanit, i cili i kërkonte llogari gruas se përse ajo u revoltua në atë mënyrë. Në një moment, gruaja u nevrikos aq shumë sa që goditi me shuplakë burrin me të cilin po debatonte.
Më pas, rreth pesë burra rrethuan gruan dhe e kanë shtrirë në dysheme, në përpjekje për ta qetësuar. Në pamjet e siguruara nga mediat e huaja, dyqani mund të shihet plot me klientë, pavarësisht këshillave të qeverisë për të respektuar distancën nga njëri-tjetri. Ndërsa ndër klientët vetëm një pakicë e vogël ishin të pajisur me doreza dhe maska, shkruajnë mediat e huaja.
“Ishte një çështje mes dy klientëve. E gjitha filloi mbi rregullat e distancimit social. Klienti mashkull po qëndronte në rrugën e tij, duke biseduar me një tjetër klient. Por ai kishte bllokuar dhe rrugën ku do të kalonte gruaja. Në këtë moment gruaja u acarua dhe filloi të bërtiste në lidhje me distancimin social. Fillimisht ajo u largua nga dyqani, por u rikthye përsëri, pasi mendoi se ai ishte një punonjës”, u shpreh një punonjës i supermarketit.
Top Channel