Nuk pyesin për distancim social, plas sherri mes bandave në Britani

14/04/2020 20:32

Dy banda rivale, në Bedfordshire të Britanisë së Madhe, janë përleshur mes tyre me shkopinj dhe shishe, duke thyer kështu edhe distancimin social, shkruajnë mediat e huaja.

Ngjarja besohet se ka ndodhur të dielën e Pashkëve. Në videon e bërë virale, shihen burrat teksa debatojnë me njëri-tjetrin dhe më pas situata degjeneroi në dhunë fizike, duke përdorur shkopinj dhe shishe.

Sipas dëshmitarëve sherri përfundoi me dëmtime të lehta nga të dyja palët. Nga krahu tjetër, policia ka mbërritur vonë në vendngjarje, pasi pjesëtarët e bandave ishin larguar nga aty. Megjithatë policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të identifikuar personat.

“Ky lloj incidenti është i papranueshëm në çdo kohë, por në situatën aktuale është e pamatur dhe nuk tolerohet. Dhuna e rëndë nuk ka vend në Bedfordshire dhe ne jemi të vendosur për të ndërmarrë veprime zbatuese kundër të përfshirëve, por edhe për të trajtuar shkaqe themelore siç janë bandat dhe tregu i drogës”, tha dedektivi Aron Kiff.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel