Një libër për Shqipërinë/ Ish trajneri i kombëtares është te kapitulli i tretë

13/04/2020 22:00

Bota sportive prej javësh është ndalur nga koronavirusi dhe të gjithë protagonistët e saj janë të izoluar në banesat e tyre për të përballur këtë sëmundje që nuk po bën asnjë dallim.

Xhanni De Biasi po shfrytëzon këto ditë të karantinës për të shkruar një libër për Shqipërinë, ku po tregon historinë e tij me kombëtaren.

Ai thotë në një intervistë për Top Channel se tashmë është në kapitullin e tretë dhe ka shumë të pathëna për Euro 2016.

“Karantina për fat të keq vazhdon prej kohësh por duhet të qëndrojmë brenda të paktën 3 javë, edhe pse është e bezdisshme. Ne jemi në izolim më shumë sesa janë shqiptarët aty por duhet të bëjmë detyrën tonë brenda një ekipi të vetëm.

Po shkruaj një libër për historinë time me Shqipërinë që kur erdha në fund të 2011 për kontratën e më pas nga ndeshja e parë në Tbilisi, deri te e fundit në Haifa kur fituam me Izraelin. Pra e nis nga fillimi për të përshkruar 5 vitet e gjysmë që kam kaluar. Kam shumë gjëra që ju nuk dini dhe është bukur të zbuloj në këtë libër ndonjë histori e papublikuar, por kryesore është puna me kombëtaren dhe ajo që arritëm, me lojtarët që realizuan ëndrrën që kishim në kokë. Kur të mbarojë libri, do shihni dhe gjërat e fshehura të Euro 2016
Më mungon shumë përgatitja e ndeshjeve dhe kontakti me lojtarët. Më mungon dhe koha kur jetoja në tiranë, apo ajo në Durrës kur grumbulloheshim me Kombëtaren.

Isha pranë pankinës së një kombëtareje para se të shpërthente koronavirus por pandemia bllokoi gjithçka. Tani është ndalur por shpresoj kur të rinisë situate normale, shpresoj të më kontaktojnë sërish. Nuk është një kombëtare e nivelit të lartë por pak a shumë si historia me Shqipërinë”.

Top Channel