Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të shtunën se po shqyrton raportet e disa pacientëve me COVID-19, të cilët në testin e dytë dolën pozitivë edhe pse më parë kishin dalë si negativë.
Zyrtarët e Koresë së Jugut raportuan se 91 pacientë për të cilët ishte menduar se janë shëruar nga koronavirusi i ri, kishin dalë përsëri pozitivë në testim.
Jeong Eun-kyeong, drejtor i Qendrave Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha në një konferencë, se virusi mund të jetë “riaktivizuar” në trupat e tyre.
Në pyetjen e Reuters-it lidhur me këtë çështje, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se “janë të vetëdijshëm për këto raporte”.
“Këto raste ne po i shqyrtojmë për së afërmi me ekspertët tanë klinikë dhe po punojmë shumë për të marrë më shumë informacione për ato raste individuale. Është e rëndësishme që kur grumbullohen mostrat e testimit nga pacientët e dyshuar, të ndiqen procedurat ashtu siç duhet”, thotë OBSH-ja.
Sipas udhëzimeve të OBSH-së për menaxhimin klinik, një pacient mund të lirohet nga spitali pas dy rezultateve të njëpasnjëshme negative me distancë kohore të testimit të paktën 24 orë. Sipas OBSH-së te rastet me simptoma të buta, ekziston një periudhë prej rreth dy javësh midis fillimit të simptomave dhe shërimit klinik të pacientëve. Zyrtarët shëndetësorë të Koresë së Jugut thanë të premten se mbetet e paqartë se çfarë fshihet pas këtij trendi, dhe se hetimet epidemiologjike janë duke vazhduar.
Megjithatë, OBSH-ja thotë se “meqenëse COVID-19 është një sëmundje e re, kemi nevojë për më shumë të dhëna epidemiologjike për të nxjerrë ndonjë përfundim”. Numri i vdekjeve në botë nga koronavirusi ka arritur në mbi 100 mijë ndërkaq numri i të infektuarve mbi 1.6 milion. Llogaritet se nga sëmundja janë shëruar mbi 370 mijë njerëz./REL
Top Channel