Kthesë e madhe në kinë ku qentë dhe macet nuk mund të konsumohen më. Këto kafshë, dalin për të parën herë, nga lista zyrtare e specieve që mund të theren.
Ekspertët mendojnë se koronavirusi është transmetuar nga lakuriqi i natës apo nga Pangolini dhe prej tyre ka kaluar tek njeriu, në tregun e Wuhanit. Edhe pse mishi i qenit vazhdon të konsiderohet një delikatesë, konsumi i tij në kinë është bërë gjithnjë e më pak popullor. Lista e shpërndarë nga ministria e bujqësisë dhe e çështjeve rurale, është në fazën e saj të konsultimit publik, për sugjerime, por përfaqëson sidoqoftë një zhvillim që duket se është maturuar në kuadër të pandemisë së Covid 19.
Lista e re sqaron edhe se termi ‘bagëti” i referohet kafshëve që janë rritur dhe riprodhuar për një kohë të gjatë për të siguruar produkte si mishi, vezët apo lëkura ose për qëllime mjekësore dhe ushtarake. Për sa i takon qenve, bashkë me progresin e njerëzimit, mbështetur tek shqetësimi publik dhe dashuria për mbrojtjen e kafshëve, ata janë rritur për tu bërë kafshë shoqërimi dhe në nivel ndërkombëtar nuk konsiderohen bagëti. Ndaj nuk do të konsiderohen të tillë as në kinë – shkruhet në tekst.
Në shkurt, autoritetet kineze kishin vendosur me urgjencë të ndalonin tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra për shkak të lidhjeve të dyshuara me origjinën e përhapjes së koronavirusit, duke revokuar të gjitha licencat ekzistuese dhe duke premtuar se do të rishikonin normativat për ta bërë ndalimin të përhershëm. Në listë, sidoqoftë janë shtuar 13 specie që konsideroheshin speciale mes të cilave dreri, fazani, struci dhe dhelpra. Organizatat e mbrojtjes së kafshëve, kanë vlerësuar se 10 milionë qen theren çdo vit në kinë për mish.
Top Channel