Veliaj shpërndan pako ushqimore në Njësinë 9: “Kush merr ndihmë ekonomike, nga ky muaj përfiton pagesë të dyfishuar”

09/04/2020 19:51

Nga ky muaj, Bashkia e Tiranës do të dyfishojë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Gjatë shpërndarjes së pakove me ndihma ushqimore tek familjet e Nevruze Shkozës, Bashkime Xhihanit, Belkiz Kapolit dhe Lirije Vulkës në njësinë 9, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë se këtë periudhë, me porosi të kryeministrit, të ardhurat nga ndihma ekonomike për familjet në nevojë do të dyfishohen për aq sa do të zgjasë situata me COVID-19.

“Nga ky muaj, me porosi të kryeministrit, ne do të dyfishojmë ndihmën ekonomike. Ndaj, kush është me ndihmë ekonomike, përveç se merr ushqimet, të ndihet i sigurt se do të ketë edhe një pagesë të dyfishuar të ndihmës ekonomike”, theksoi Veliaj.

Ai u kërkoi banorëve të Njësisë 9 që të vijojnë të qëndrojnë në shtëpi, gjer në kapërcimin e situatës së krijuar nga COVID -19, dhe për çdo nevojë do të jenë grupet e punës që do të asistojnë.

Veliaj theksoi se kjo periudhë ka treguar se automjetet janë edhe ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit. Ndaj, theksoi ai, do të shihet mundësia që edhe numri i ditëve pa makina të rritet, kur e gjitha kjo situatë të jetë kapërcyer.

Duke falenderuar punonjësit e pastrimit për punën që po bëjnë për të mbajtur pastër qytetin, kryebashkiaku kërkoi edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve.

“Punonjësit e pastrimit bëjnë një punë fantastike, janë po aq heroina, ndoshta nuk janë në frontin e parë, por e mbajnë qytetin xixë”, u shpreh ai.

Nevruze Shkoza, e cila për 19 vjet ka kontribuar në Ndërmarrjen e Pastrimit të Qytetit të Tiranës dhe aktualisht është në pension, u shpreh se falë punës së palodhur të këtyre punonjësve, të gjithë gjejnë një qytet të pastër në mëngjes.

Me nismën solidare “Adopto një gjyshe” për të ndihmuar ata që jetojnë vetëm dhe nuk mund të dalin për të blerë ushqime, shumë të rinj e të reja po ndihmojnë të moshuarit e zonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA