Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” Drejtori i Shoqatës së Industrialistëve Shqiptarë, Alban Zusi.
Gjatë fjalës së tij Zusi tha se ka dhe shumë biznese që situatën e krijuar, e shikojnë si një mundësi për të përfituar dhe për të mos likuiduar detyrimet tatimore shtetit. Për t’i dhënë fund këtij fenomeni, Zusi sugjeron që të bëhet një paketë masash mbështetëse, që do të thotë, bizneset duhet të deklarojnë që aktualisht nuk janë duke ushtruar aktivitetin e tyre. Këto deklarata, sipas tij, duhet të dërgohen në drejtorinë e tatimeve dhe nëse gjatë kontrolleve tatimore në këto biznese, rezulton që ata e kanë pasur mundësinë financiare, për t’i paguar këto detyrime dhe se kanë bërë një gjë të tillë, të përballen me masa penalizuese.
“Në menaxhim është një i ashtuquajtur rrethi i deming-ut që thotë: Planifiko, vepro, kontrollo dhe korrekto. Unë jam dakord me kryeministrin, e mirëkuptoj shqetësimin e tij. Jo më larg se sot kam dëgjuar, teksa isha rastësisht në një bankë dhe dëgjova dikë që kishte një biznes të vogël, po punonte, madje po punonte diçka më tepër. Por ndërkohë po hapte një llogari në bankë për të marrë ate fondin e emirgjencës për bizneset e vogla. Pra, kjo është një situatë absolutisht e mundshme, jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht. Por nga ana tjetër, në qoftë se ne bëjmë një paketë masash mbështetëse. Gjithashtu, vendosim disa valvula sigurie si, vetëdeklarimi i biznesit që unë nuk po paguaj taksat, duke deklaruar menjëherë. Jo një vendimmarrje nuk paguaj taksat. Por një vendimmarrje, nuk paguajmë taksat me një arsyetim të justifikuar. Ky arsyetim duhet të shkoj në tatime. Do të shkoj atje, do të depozitohen. Mbase nuk ka fuqi administrata tatimore për t’i kontrolluar brenda datës 10 prill apo 20 prill. Por kur t’i vijë kontrolli në muajin dhjetor biznesit dhe të shohë se ai e ka pasur aftësinë për t’i paguar taksat, e ka pasur likuiditetin, e ka pasur gjendjen ekonomike dhe megjithatë nuk ka likuiduar. Atëherë bizneset duhet t’i nënshtrohen një tatimi të jashtëzakonshëm, një tatimi ekstrem, një tatimi të mashtrimit. Pra, duhet të kemi një paketë të balancuar, por edhe me masa penalizuese kur bizneset kanë abuzuar me këtë lloj të drejte”, u shpreh Alban Zusi.
Top Channel