Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype”, eksperti i shërbimeve imobilare, Eglent Bici.
Gjatë fjalës së tij, Bici u shpreh se ishte i pakënaqur nga vendimi i qeverisë për shtyrjen e afatit të qirave, pasi sipas tij kjo gjë do të prishte marrëdhënien e qiramarrësit dhe qiradhënësit. Bici, pretendon se qiramarrësit dhe qiradhënësit ishin duke “ndërmjetësuar” në mënyrë personale, formulat e pagimit të këstit të qirave, por vendimi i qeverisë sipas tij shkatërroi gjithçka. Gjithashtu, Bici thotë që shtyrja e këstit të qirasë do të jetë në dëm të qiramarrësit, pasi do të jetë i detyruar që pas një periudhe të caktuar kohore të paguaj të gjitha detyrimet e tij njëherësh. Pra, nëse një person nuk paguan për dy, tre apo katër muaj qiranë, do të jetë i detyruar që pas disa muaj t’i paguaj të plota këtë shumë. Ndërkohë, Bici, sugjeron që qeveria të paguaj gjatë kësaj periudhe këtë shumë, në mos të plota, të paktën në masën 60, 70, apo 80%.
Denis Dyrnjaja: Do të dëshiroja të të pyesja edhe për çështjen e vendimit të qeverisë për shtyrjen e pagimit të qirasë. Sipas jush, çfarë efekti do të prodhoj kjo? E ndihmon procesin apo krijon efekt të kundërt?
Eglent Bici: Unë mendoj që kjo krijon komplet efekt të kundërt. Madje për mendimin tim e ka shkatërruar, e ka prishur marrëdhënien mes qiradhënësve dhe qiramarrësve. Qiramarrësit po e kuptonin se çfarë po ndodhte dhe në një farë mënyre po komunikonin me njëri tjetrin që, unë nuk kam mundësi ta paguaj qiranë e plotë, do të paguaj gjysmë qiraje dhe më pas kur të filloj të paguaj qiranë e plotë dhe mbase mund të jap pak më shumë, për të likuiduar këtë që s’po të paguaj.
Denis Dyrnjaja: Pra ju flisni që kishte një lloj tentative për marrëveshje ndërkohë që shteti e prishi këtë lloj procesi. Këtë po thoni?
Eglent Bici:Jo e prishi, por unë mendoj që e shkatërrojë fare sepse tani prishi edhe marrëdhënien e besimit njerëzor. Në raste kur ka pasur biznese të cilët nuk kanë pasur ndërmend të ndërprisnin qiranë. Unë kisha dhe rastin tim. Unë nuk kisha ndërmend t’i thoja këtë gjë pronarit, për një nga objektet që ne kemi. Dhe porsa doli ky vendim i qeverisë thash: se përse mos e kërkoj edhe unë.
Denis Dyrnjaja: Cilat janë propozimet që ju mund të thoni publikisht në raport me këtë vendim të qeverisë.
Eglent Bici: Nëse qeveria dëshiron që të ketë një paqe sociale në marrëdhënien edhe besimi në fund fare, mes qiradhënësve dhe qiramarrësve. Do të ishte shumë mirë që qeveria të shtrëngonte pak rripin e vet, dhe nëse do të mund ta bënte një gjë të tillë, të ketë mundësinë që brenda këtyre muajve t’ua paguante ajo qiranë qiradhënësve. Nëse nuk e bën dot, të thotë që unë do t’u paguaj juve, por do ju paguaj 60%, 70%, 80%. Sepse çfarë do të ndodhi pas tre muajsh. Pas tre muajsh dikush që nuk e ka paguar sot, do të duhet të paguaj dy muaj qiranë njëherësh. Madje rëndon edhe pozicionin e tyre, e bën më të keqe akoma. Rëndon edhe marrëdhënien institucionale që kanë këta njerëz. Një pjesë prej tyre, duke u ndikuar nga momenti që unë sa t’i paguaj këtij dy qira për katër apo pesë muaj, iki të marr një objekt tjetër.
Top Channel