Në një ditë fundjave, Dajti do të ishte plot me vizitorë vendas dhe të huaj, jo vetëm për bukuritë pafund që i ka falur natyra zonës, por edhe për ushqimet tradicionale dhe mikpritjen.
Por, pandemia që ka përfshirë botën, COVID-19, i ka detyruar banorët të përballen me disiplinën e karantinës, ndërkohë që çdo ditë vijon shpërndarja e paketave ushqimore nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte dje në familjet e Kujtim Lilës, Ahbim Ahmetajt, Maliq Tarjes, Bujar Lilës e Zyhdi Ahmetajt në Dajt, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Veliaj tha se falë skemës së patronazhimit, është arritur shpërndarja e ndihmave në të 27 njësitë administrartive, edhe tek ato më të largëtat. “Sistemi me 27 administratorët, kryepleqtë dhe ndërlidhësit ka ecur shumë mire, kemi qenë pranë çdo të moshuari. Kurse rrjeti i vullnetarëve që u bën pazarin apo u blen ilaçet, është perfekt”, tha ai.
Teksa i garantoi për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti menjëherë sapo të kalojë kjo pandemi, kryebashkiaku Veliaj tha se e gjithë zona do të përfitojë edhe nga rruga e Arbrit. Ai theksoi se krahas rrugës nacionale, do të bëhen edhe një sërë investimesh të rëndësishme në rrugë dytësore. “Nga rruga e Arbrit, rregullohet edhe rruga e Tufinës, që i jep edhe zhvillim gjithë zonës. Të mbarojë edhe rruga e Arbrit dhe do të bëjmë degëzimet. Njerëzit duhet ta kuptojnë se në momentin që jemi në emergjencë, si prej tërmetit, si për këtë, shumë prej parave që i kishim për investime, i kemi çuar për ushqime. Të gjithë duan të bëhen investimet, por para jetës nuk ka asgjë tjetër. Të gjitha do i bëjmë, vetëm do Zoti kalon paq kjo”, tha kreu i Bashkisë.
Bashkia e Tiranës ka ngritur grupe pune në të gjithë territorin dhe bashkë me ndërlidhësit dhe kryepleqtë po evidentojnë dhe shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë.
Top Channel