Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar nga detyra Inspektorin e Përgjithshëm të komunitetit të zbulimit. Inspektori Michael Atkinson kishte njoftuar Kongresin lidhur me ankesën e informatorit që solli si rezultat procesin për shkarkimin e presidentit në fillim të vitit.
Zoti Trump njoftoi zyrtarisht komisionet e zbulimit të të dyja dhomave të Kongresit të premten se shkarkimi i zotit Atkinson do të hynte në fuqi pas 30 ditësh. Ai tha në një letër se Inspektori i Përgjithshëm Atkinson, nuk gëzonte më “besimin e tij të plotë”. Presidenti Trump tha se do të emëronte emrin e personit që do të zëvendësonte zotin Atkinson “në një datë më të vonshme”.
Lëvizja e tij, u kritikua menjëherë nga udhëheqësit demokratë në kongres. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e përshkruan shkarkimin e Atkinsononit si “të turpshëm”, duke e quajtur “një akt të pacipë kundër një zyrtari publik patriot që ka kryer me nder detyrën për të mbrojtur kushtetutën dhe sigurinë tone kombëtare, siç kërkon ligji dhe detyra e tij”.
“Michael Atkinson është një njeri me integritet që i ka shërbyer vendit tone për thuajse dy dekada. Fakti që shkarkohet se pati kurajon të thoshte të vërtetën, e bën patriot”, tha udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer. Veprimi u kritikua edhe nga demokratët kyesorë në komisionet e zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Top Channel