Gjermania dyfishon testimet, rënie e lehtë e përhapjes së virusit

05/04/2020 06:15

Kapacitetet e spitaleve për të sëmurët me Corona në Gjermani janë rritur edhe më tej. Shenjat e para për ngadalësimin e përhapjes së Covid-19 japin shpresë për dobësim të virusit Corona.

Në Gjermani ka sinjale të para se masat kufizuese po japin rezultate. Tani nevojiten më shumë ditë, që të dyfishohet numri i të infektuarve: duhen 11 ditë, kurse javën e kaluar duheshin vetëm pesë ditë. E thënë ndryshe, fuqia e virusit ka rënë lehtas, pasi është infektuar një numër më i madh njerëzish – që tani për disa kohë janë bërë imunë ndaj virusit. Deri sot, në Gjermani ka gati 77.000 të infektuar dhe 934 të vdekur.

Dyfishohen testimet dhe shtohen shtretërit intensivë

Masat e kufizimit të kontakteve dhe të frenimit të jetës publike megjithatë do të vazhdojnë për momentin deri në 19 prill. Qeveria dhe landet do ta ridiskutojnë gjendjen në 14 prill. Por faza e kufizimeve duhet respektuar rreptësisht të paktën deri në 19 prill, thonë virologët. Sepse shtimi i rasteve me ecuri të rëndë të sëmundjes së mushkërive Covid-19 në Gjermani sapo ka nisur. Në medie ndërkohë ka depërtuar se në qeverinë qendrore ka diskutime për të avancuar në skenarin e daljes nga situata e kufizimeve.

Në Gjermani është arritur të shtohet numri i krevateve në stacionet e kujdesit intensiv: nga 28.000 ky numër u rrit në 40.000. 15.000 deri 20.000 shtretër nga këto, për momentin, janë bosh. Numri i testimeve të popullatës për virusin është shtuar: nga 160.000 në javë, në 360.000 në javë. 10 përqind e të testuarve dalin me virus. Shtimi i kapaciteteve është dëshmi e fuqisë së jashtëzakonshme mobilizuese, që ka treguar historikisht makineria e shtetit gjerman – në rast krizash nacionale.

Vlerësime të larta për punën e qeverisë qendrore

Edhe në Gjermani, kriza e virusit Corona është ora e ekzekutivit. Me direktiva energjike qeveria drejton jetën e vendit. CDU/CSU në pushtet ka shtuar shtatë pikë në mbështetje, duke arritur 34 përqind. SPD mbetet në 16 përqind. Vlerësime të larta bëhen nga të gjitha kampet politike për kancelaren Merkel: vlerësojnë që Merkel është rikthyer, si menaxhere e aftë krizash.

65 përqind e gjermanëve aktualisht janë të kënaqur me punën e saj. Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier kujtoi dje në një deklaratë për mediat se historia e njerëzimit na mëson se kemi arritur gjithmonë t’i vëmë nën kontroll me terapi e vaksina të gjitha epidemitë: atë të tuberkolozit, të ebolas, të Sidas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA