Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishin të ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype”, Kastrioti dhe Bashkimi.
Dyshja, është pjesë e një grupi prej 20 personash, të cilët kanë ngecur në doganën e Kapshticës. Bashkimi, nuk ishte i pajisur me letra greke, por ndodhej në Greqi për tre muaj. Por tashmë, të ardhurat i kishin përfunduar dhe e shikonte të nevojshme për t’u rikthyer në Shqipëri. Rast, akoma më i trishtueshëm është ai i Kastriotit.
Ndryshe nga Bashkimi, Kastrioti është i pajisur me letra greke, por ka nënë shumë sëmurë dhe dëshiron me patjetër që të kalojë kufirin. Ata shprehen se e kanë kaluar doganën greke, por ajo shqiptare nuk i lejon që të kalojnë. Madje, ata shprehen se kanë telefonuar dhe policinë dhe ata janë shprehur: kthehuni në Greqi, nuk kemi ç’të bëjmë për ju.
“Unë kam që mbrëmë që qëndroj jashtë. Në doganën shqiptare më thanë që kthehu përsëri në Greqi. Kemi qenë 10 persona dhe tani janë shtuar, unë qëndroj me tre mujor, nuk është se kam letra si do të jetoj unë atje”, u shpreh Bashkimi.
Ndërsa Katrioti, thotë që e ka të nevojshme që të shkojë në Shqipëri, pasi mamanë e ka në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
“Kam ardhur për nënën që është në gjendje të rëndë. Kam ardhur në 10 e 30 të natës. Kemi gjithë natën këtu dhe nuk na lenë për të kaluar. Punonjësit na thonë që të ktheheni përsëri nga kemi ardhur. Unë nuk do të kthehem, unë dua të iki në shtëpi sepse kam nënën në gjendje të rëndë. Kemi folur me policinë e rendit dhe kanë thënë që skam ç’të bëjmë. Unë kam ikur në datën 11 mars në Greqi, janë bllokuar doganat dhe kam mbetur. Mbrëmë kemi qëndruar jashtë në dëborë, në temperature -5 gradë. Kemi qëndruar në këmbë nuk kemi fjetur. Nuk ka asnjë godinë këtu, janë vendrojet e ushtarëve grekë por janë të prishura. Gjendja e nënës është e dobët, nuk ka asnjë lloj shprese. E vetmja zgjidhje që na kanë ofruar është të kthehemi mbrapsht. Ne s’kemi si të kthehemi sepse skemi para, këtu do të rrimë”, u shpreh Kastrioti.
Top Channel