“Media nuk mund të braktisen në këtë moment delikat” Shoqata e Gazetarëve Europian: Të krijohen paketa lehtësuese

02/04/2020 18:16

Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar me anë të një letre të hapur drejtuar institucioneve shqiptare dhe prezencës së ndërkombëtarëve në Shqipëri ka apeluar që në këtë situatë të krijuar me CoVid-19 të krijohen paketa lehtësuese dhe mbështetëse shumë dimensionale, për të gjitha mediat, duke filluar nga ato kombëtare, lokale, të shkruara dhe online.

Sipas Shoqatës së Gazetarëve Europian një numër i konsiderueshëm televizionesh dhe gazetash përfshirë edhe ato online, kanë filluar me shkurtime në stafet respektive, largime nga puna për shkak të situatës së krijuar dhe përgjysmime të pagës pa paralajmërim, duke e argumentuar me problemet financiare. E gjitha kjo në një periudhë ku pjesa dërrmuese e gazetarëve janë angazhuar më shumë se dje në raportimin e gjendjes.

“Media dhe gazetarët, janë një nga elementët më të rëndësishëm për demokracinë, dhe nuk mund të braktisen në këtë moment tejet delikat të historisë së vendit.” thuhet më tej.

Letra e Shoqatës së Gazetarëve Europian:

Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar, Letër e hapur drejtuar:

Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta,

Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama,

Ministrja e Financave edhe Ekonomisë zonjës. Anila Denaj

Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi

Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha,

Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës zonjës. Yuri Kim,

Ambasadores së Suedisë zonjës. Elsa Hastad,

Përfaqësueses së Këshillit të Europës zonjës. Jutta Gutzkoë,

Ambasadorit të Bashkimin Europian z. Luigi Soreca,

Ambasadori të OSBE z. Bernd Borchard,

Shumica e shteteve të Botës përfshirë këtu edhe Shqipërinë, kanë aplikuar masa të forta për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si karantimi dhe kufizimet e të gjitha aktiviteteve publike dhe atyre private. Masa këto të nevojshme, sipas Organizatës Botëtore të Shëndetësisë, për të parandaluar përhapjen e këtij virusi dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

Vlerësimet tona maksimale, shkojnë për të gjitha stafet mjekësore të të gjitha spitaleve në vend, që janë në vijën e parë të betejës, për Policinë e Shtetit dhe Ushtrinë, për angazhimin dhe sakrificën e jashtëzakonshme.

Një fenomen që po ndihet përditë e më shumë pas bllokimit të nevojshëm të shumicës së aktiviteteve, është frenimi ekonomik me efekte sociale.  Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar, ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar në veçanti në media, televizione, gazeta dhe agjensi lajmesh online.

Rezulton se një numër i konsiderueshëm televizionesh dhe gazetash përfshirë edhe ato online, kanë filluar me shkurtime në stafet respektive, largime nga puna për shkak të situatës së krijuar dhe përgjysmime të pagës pa paralajmërim, duke e argumentuar me problemet financiare. E gjitha kjo në një periudhë ku pjesa dërrmuese e gazetarëve janë angazhuar më shumë se dje në raportimin e gjendjes. Gazetarët, janë në vijë të parë të raportimit, duke rrezikuar jo pak edhe jetën e tyre, për të përmbushur misionin dinjitoz, atë të informimit të qytetarëve në shërbim të interesit publik.

Duke parë këtë situatë që sa vjen e po përkeqësohet, dhe duke e konsideruar median si shumë të rëndësishme për demokracinë e një vendi, J’u apelojmë që të ndikoni sa më shpejt të jetë e mundur, në krijimin e një pakete lehtësuese dhe mbështetëse shumë dimensionale, për të gjitha mediat, duke filluar nga ato kombëtare, lokale, të shkruara dhe online.

Propozimet konkrete mund të hartohen pas diskutimesh me përfaqësuesit e mediave të vendit, që në mendimin tonë duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, për të mos lejuar përkeqësimin e situatës dhe përkeqësimin e cilësisë së informimit publik.

Disa modele ku kjo paketë e mundëshme mund të bazohet, janë masat e marra nga Spanja ose Greqia.

Në këtë proçes, mund të përfshihen edhe institucione të tjera me ekspertizë konkrete si AMA(Autoriteti i Mediave Audiovizive) apo ente të tjera.

Media dhe gazetarët, janë një nga elementët më të rëndësishëm për demokracinë, dhe nuk mund të braktisen në këtë moment tejet delikat të historisë së vendit.

Duke Ju falenderuar për vëmendjen, besojmë dhe shpresojmë shumë në ndihmën tuaj.

Me respekt, Shoqata e Gazetarëve Europian të Shqipërisë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA