Masat në Portin e Durrësit: Vijon puna me përpunimin e anijeve tregtare, futen 60% e produkteve ushqimore

02/04/2020 19:01

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në Portin e Durrësit, ku po vijon puna për përpunimin e anijeve tregtare që vijnë në vendin tonë, por edhe atyre të cilat eksportojnë pajisje të ndryshme jashtë vendit.

Në kushtet e kufizimit të lëvizjeve në rrugë tokësore, nga shumë vende, për shkak të pandemisë së COVID-19, në këtë periudhë Porti i Durrësit, është porta kryesore për qarkullimin e mallrave.

Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, bëri të ditur se pavarësisht reduktimit të stafit, për shkak të masave të marra, aktiviteti përpunues i portit ka vijuar normalisht pa asnjë ndërprerje dhe se më shumë se 60 përqind e produkteve ushqimore që vijnë në vendin tonë përpunohen në kalatat e këtij porti.

“Aktualisht, 60% e ushqimeve që vijnë në vendin tonë kalojnë përmes Portit të Durrësit. Ne kemi një kapacitet me 300 kontenierë frigoriferik në ditë. Përpunimi ka qenë konstant gjatë muajit mars, pavarësisht se kemi pasur një reduktim të stafit për efekt karantinimi dhe për efekt të masave mbrojtëse”, tha Vëngu.

Në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Doganat dhe Policinë Kufitare janë marrë një sërë masash me qëllim lehtësimin e punës dhe shkurtimin e kohës për operatorët portual që po vijojnë punën në këto javë.

“Kemi nisur shërbimet online, në mënyrë që kostot e kohës së humbur, qoftë edhe kostot financiare që mund të kenë kompanitë dhe operatorët portualë të jenë më të përballueshme në këtë periudhë krize. Është krijuar dhe një linjë e dedikuar, për t’iu përgjigjur në kohë reale, 24 orë, të gjithë individëve që kërkojnë të përpunojnë mallra në kohë të shkurtuar dhe për hir të së vërtetës falë bashkëpunimit me doganën dhe drejtorinë detare kemi pasur ritme të pëlqyeshme”, bëri të ditur drejtori i Autoritetit Portual Durrës.

Ministrja Belinda Balluku nënvizoi se mbyllja e kufijve tokësorë nga shumë vende bën që Porti i Durrësit të jetë pika kryesore për furnizimin e vendit me mallrat e nevojshëm, teksa shtoi se janë duke u bërë përpjekje nga ana e organizatave ndërkombëtare, për lejimin e qarkullimit përmes korridoreve të gjelbërta.

“Porti i Durrësit ka qenë gjithmonë një nga pikat më të rëndësishme hyrëse që Republika e Shqipërisë ka pasur, sidomos për transportin e mallrave. Për shkak të problematikave që janë hasur në kufirin tokësor, megjithëse po merren masat e duhura edhe me një marrëveshje të krijuar mes Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit dhe CEFTA-s, për të zgjidhur këtë problem përmes korridoreve të gjelbërta, por Porti i Durrësit ka mbajtur peshën kryesore në këto ditë të vështira, përsa i përket transportit të mallrave të nevojit të parë”, tha Balluku.

Duke vënë theksin tek rëndësia që kanë eksportet, veçanërisht në këtë periudhë për ekonominë kombëtare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se duhet të vijojë puna pa krijuar asnjë pengesë për këtë sektor, për shkak se shumë prej tyre kanë kontrata të lidhura paraprakisht me operatorë të huaj.

“Eksportet janë shumë të rëndësishme. Sigurisht, duhet të vazhdojë ajo industri, që ne kemi në vendin tonë dhe që i ka kontratat e lidhura, sidomos kur nuk kemi biznese apo shoqëri, që kanë shumë punëtorë, siç janë fasoneritë, që janë detyruar të ulin pak ritmin e punës dhe të shtyjnë afatet e dorëzimit të kontratave, për shkak se pozicionet ku ata punojnë janë shumë afër me njëri-tjetrin. Kështu iu është dashur që të përgjysmojnë numrin e punonjësve. Por në rastet e industrisë të rëndë, siç është prodhimi i turbinave apo industrisë minerare, ne duhet të vijojmë eksportet, pasi eksportet luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë tone, të goditur në këto momente, ashtu siç ka ndodhur në gjithë botën nga COVID-19”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Ambasadën Italiane, ku përmes Portit të Durrësit u bë evakuimi i një pjese të shtetasve italianë, të cilët ndodheshin në Shqipëri dhe që kërkuan të largoheshin drejt vendit të tyre.

“Është bërë një punë e mirë edhe për evakuimin e shtetasve italianë në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe padyshim me kompanitë, të cilat kanë operuar në këto ditë të vështira. Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, për të ndihmuar të gjithë shtetasit italianë, të cilët kanë vendosur të largohen nga Shqipëria, për t’u karantinuar në vendin e tyre”, deklaroi Balluku.

Duke falënderuar punonjësit e Portit të Durrësit që janë në krye të detyrës në këto ditë të vështira, ministrja Belinda Balluku vlerësoi faktin se falë masave të marra nga Autoriteti Portual, asnjë punonjës nuk ka rezultuar deri tani i prekur nga COVID -19 dhe se do të vijojë të zbatohen të gjitha masat e parashikuara për të gjithë ekuipazhet e anijeve, që vijnë në vendin tonë, për të parandaluar përhapjen e virusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA