Strategjia për të luftuar epideminë e koronavirusit fillon, vazhdon dhe përmbyllet në komunitet dhe me veprimet e komunitetit, u shpreh Dr. Deborah Birx, koordinatore e ekipit të Shtëpisë së Bardhë për reagimin kundër koronavirusit duke prezantuar modelin e përllogaritjeve dhe projektimeve për përhapjen e epidemisë në muajt e ardhshëm të titulluar “Synimet e Strategjisë Për Pengim në Komunitet”.
Në konferencën e përditshme për shtyp mbi strategjinë kundër koronavirusit, Dr. Birx theksoi të marten se 30 ditët e ardhshme dhe veprimet që ndërmarrin amerikanët në këto 30 ditë do të jenë vendimtare për ndryshimin që kërkohet në kursin e sëmundjes në Shtetet e Bashkuara.
Përmes kurbës statistikore, Dr. Birx tregoi se sa e lartë do të ishte rritja e trajektores së sëmundjes, duke rezultuar në 1.5 milionë deri në 2.2 milionë të vdekur nëse nuk respektohen masat e forta të distancimit social dhe sa mund të zbutej ajo kurbë nëse vazhdonte izolimi, ndalimi i lëvizjeve, duke e ulur numrin në 100-200 mijë të vdekur.
Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit të Sëmundjeve Infektive dhe pjesë e ekipit të reagimit kundër koronavirusit, tha se amerikanët duhet të përgatiten për 100 mijë si minimalja e viktimave nga kjo sëmundje, nëse të gjitha masat e pengimit të epidemisë funksionojnë, por nëse merren masat e duhura, numri total i viktimave mund të ulet edhe nën 100 mijë.
“Duhet të jemi të përgatitur për këtë shifër, por kjo nuk është e pashmangshme,” tha Dr. Fauci duke shtuar se duhet marrë çdo masë për ta ulur këtë shifër. Specialisti i sëmundjeve infektive tha se sipas modeleve kompiuterike, 100 mijë të vdekur është rezultati më i ulët i parashikuar, përllogaritje që bazohet në marrjen e të gjitha masave të kontrollit. Nëse nuk merren masa, tha Dr. Fauci, numri i viktimave mund të shkojë në 1-2 milionë të vdekur.
Dr. Fauci shtoi se me të dhëna të reja që vazhdojnë të mblidhen, modeli kompiuterik mund të ndryshojë, shifrat mund të dalin ndryshe, ndoshta parashikimi për viktimat mund të jetë më i ulët. Por rreziku mbetet i madh, theksoi mjeku epidemiolog.
Specialistët përsëritën se masat për të penguar përhapjen e sëmundjes mbeten të njëjta:
“Studime të hollësishme na tregojnë se distancimi social, qëndrimi në shtëpi, kujdesi i vëmendshëm, duke larë duart, duke mos prekur fytyrën, në këtë mënyrë, çdo amerikan mund të japë ndihmesën e tij në mënyrë që numri i viktimave të ulet në 100 mijë deri në 200 mijë të vdekur,” tha Dr. Deborah Birx.
Muaji i ardhshëm është vendimtar për reagimin ndaj koronavirusit dhe për të parandaluar një rezultat që do i përngjiste realitetit në Itali, paralajmërojnë epidemiologët. Është momenti për t’u dhënë një shtysë të fortë të gjitha masave që pengojnë përhapjen epidemisë. Specialistët e shëndetit publik në ekipin e Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, paralajmëruan amerikanët të martën të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet për distancim social dhe për izolim në shtëpi për 30 ditët e ardhshme, në mënyrë që të shmanget një rritje e mprehtë e rasteve me koronavirus.
Dr. Deborah Birx tha se përgjigja ndaj problemit mbetet në duart e komunitetit:
“Përvoja e shtetit të Uashingtonit, ku epidemia u shfaq për herë të parë në Shtetet e Bashkuara tregon një rritje të ulët të numrit të të infektuarve pasi autoritetet atje reaguan me masat e duhura,” tha Dr. Birx duke nxitur amerikanët të durojnë masat e forta të izolimit dhe të ndalimit të lëvizjes në mënyrë që të mos ketë një rritje si shtetet e Nju Jorkut apo Nju Xhërsit, aktualisht disa nga vatrat më shqetësuese të epidemisë.
Dr. Birx tha se masat e forta japin rezultat edhe në situatat më ekstreme. Por që situata të mbahet nën kontroll, e vetmja zgjidhje varet nga sjelljet dhe veprimet e individëve: “Nuk ka vaksinë; nuk ka terapi magjike. Përgjigja është veprimet e individëve”. Duke marrë shembullin e Italisë, vendi i goditur më rendë nga epidemia, Dr. Birx tha se pas disa javësh ndalim-qarkullimi, tani po vërehet një rënie e kurbës së infektimeve të reja. Synimi i masave në Shtetet e Bashkuara, tha zonja Birx, është të shmanget një goditje e rëndë e ngjashme me Italinë dhe një zbutje e kurbës shumë më shpejt se ç’u pa në Itali.
Dr. Fauci pohoi se masat e distancimit social, izolimit dhe mbylljes së ambjenteve publike kanë dhënë rezultat. Megjithëse numri i rasteve të reja me koronavirus vazhdon të shtohet, ritmet e rritjes janë ulur pak, tha Dr. Fauci. Ky fakt duhet të jetë një shtysë për të vazhduar këto masa:
“Tani nuk është koha të shtypim frenat, tani është koha t’i japim gaz, të vazhdojmë me turr këto masa përndryshe problemi do të rikthehet më i rëndë,” tha Dr. Fauci.
Dr. Anthonu Fauci tha se kur izolimi social fillon të dëshmojë efektin e tij, vërehet një rënie e numrit të infektimeve të reja, shihet një numër më i vogël i të shtruarve në spital. Edhe në rastet kur të gjitha udhëzimet zbatohen me përpikmëri, situata do të vazhdojë të keqësohet në ditët në vazhdim, tha Dr. Fauci.
“Nuk duhet të dekurajohemi dhe të mendojmë se masat nuk po japin rezultat. Synimi ynë është të ndihmojmë vatra të goditura rëndë si Nju Jorku dhe Nju Xhërsi të kapërcejnë këtë situatë dhe ta vënë nën kontroll epideminë dhe të pengojmë përhapjen e epidemisë në zona të tjera. E vetmja mënyrë për ta realizuar këtë është pengimi i përhapjes”.
Dr. Fauci thotë se popullata duhet të përgatitet për një vazhdim të shtimit të numrit të të vdekurve, edhe kur specialistët të deklarojnë se epidemia është vënë nën kontroll. “Kurba e viktimave nga epidemitë gjithmonë shtrihet më gjatë se vetë epidemia dhe piku i epidemisë”.
Situata mbetet kritike dhe rreziku i thellimit të krizës mbetet i pranishëm, tha koordinatorja e ekipit të presidentit kundër koronavirusit, Dr. Deborah Birx:
“Shqetësimi që ngritëm për Detroitin dhe Çikagon, Nju Orlins vazhdon të mbetet problem me numrin e rasteve të reja megjithëse ka shenja se po stabilizohet”.
Megjithë alarmin e ngritur për mungesë kapacitetesh, zonja Birx tha se sistemi spitalor në Shtetet e Bashkuara deri tani u është përgjigjur të gjitha nevojave të komunitetit dhe “askush nuk është kthyer te dera pa marrë kujdesin e nevojshëm; askush që kishte nevojë për aparaturë frymarrjeje nuk është lënë pa aparaturë”. Presidenti dhe ekipi i tij folën për dërgesa me aparatura frymarrjeje për shtetet individuale. Përgjigja ndaj koronavirusit është marrë në nivele shtetërore, presidenti u ka rezistuar thirrjeje për masa federale në shkallë kombëtare./VOA
Top Channel