Një nga masat e shumta të marra për parandalimin e Covid 19 ishte edhe bllokimi i lëvizjes së automjeteve. Kjo ka penalizuar shumë qytetarë të cilët nuk arrijnë dot të marrin autorizim nga policia edhe pse e kanë të nevojshëm atë. I tillë është dhe rasti i Ylli Meraj  65 vjeç nga fshati Greshicë e Mallakastrës.

Prej katër vitesh ai kryen dializë në spitalin e Fierit, tre herë në javë. Pas shtrëngimit të masave kundër koronovirusit tashmë 65 vjeçari e ka të pamundur të gjejë një automjet për t’u paraqitur në spital.

Pikërisht për këtë ai i është drejtuar për ndihmë Fiks Fare për të gjetur zgjidhje për hallin e tij  shëndetësor. Ai tregon për Fiksin se më përpara udhëtonte për të bërë dializën me furgon dhe rruga i paguhej nga shteti, por tani nuk mund të lëviz dot as me automjet privat pasi duhet një autorizim. Madje pyetjes së gazetares se  si ia ka bërë deri tani që të shkojë në spital ai përgjigjet : “Kam paguar një komshiun tim këtu dhe kemi ikur fshehurazi nëpër rrugë qorre si e si të mos na kapë policia. Por tani ai nuk më vjen më as me pagesë, pasi ka frikë dhe unë nuk di më çfarë të bëj.”

Tre herë në javë Ylli Meraj del nga shtëpia çdo ditë herët dhe del në rrugën kryesore me shpresën se dikush mund ta marrë me vete si pasagjer deri ne Fier, nëse nuk e ka këtë fat kthehet mbrapa për në shtëpi pa e bërë dializën. Por sa seanca mund të shtyjë ai pa bërë dializën? ” Unë mund të lë vetëm një seancë në javë pa bërë, pastaj nuk mundem se ja do rri pa ngrënë  por pa ujë nuk rri dot” shprehet ai.   Ylli tregon se në zonën e tij nuk ka   persona të tjerë që bëjnë dializë porsi ai , por  janë vetëm dy të tjerë në Ballsh që kanë vetë makinë personale dhe e kanë zgjidhur këtë problem.

E vetmja kërkesë që ka Ylli Merja është që pushteti vendor të lejojë dy mjete trasporti që të lëvizin nga fshati, pasi fshati ka edhe nevoja e probleme të tjera.

Fiksi ndoqi nga afër rutinën e Z. Merja se si është një nga ditët e javës që ai ka për të bërë dializën. Nga shtëpia ai zbret në këmbë  rreth 30 minuta deri sa të mbërrijë në  rrugën kryesore. Me vete mban një çantë në të cilën ka futur një batanije , pak buke e një kokërr vezë të zier t’i konsumoi para se të hyjë në dializë. Por vetëm pas një orë pritjeje në mes të rrugës Z.Ylli arrin të komunikojë në telefon me dikë nga fshati i cili mund ta çoj deri në Fier.

Ndalesën e parë e kanë në komisariatin e Mallakastrës ku lë të dhënat e tij dhe të mjetit me të cilin po udhëton, aty pret edhe një tjetër pacient me po të njëjtin problem që ta marrin edhe atë. ” Po pres edhe dikë tjetër që ka të njëjtin hall si unë se gjynah dhe ai” shprehet  65 vjeçari. Pasi merr lejen nisen drejt qytetit te Fierit ku brenda orës 11:00 duhet të paraqiten në spital për të filluar dializën.  Me të mbërritur na Fier pas 2 orësh Z. Merja pohon se e ka paguar mjetin 20 mijë lekë të vjetra. Për tre herë në javë  që i  duhet  të lëviz kostoja i shkon 60 mijë lekë të vjetra dhe total në muaj 240 mijë lekë, ndërkohë që pensioni që ai merr është  200 mijë lekë në muaj. 65 vjeçari  kërkon nga institucionet  vetëm një makinë të autorizuar, ose në të kundërt shteti t’u shtojë vlerën në para të transportit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA