Gjatë kësaj kohë kemi bërë vizita në studio të ndryshme artistësh ku kemi parë se si po e kalojnë karantinimin por njëkohësisht edhe çfarë janë duke krijuar. Gaz Lekën po e takojmë online edhe për faktin që ai nuk ka shkuar në studion e tij.
“Në shtëpi jam. Unë jam mësuar të jetoj në tre ambiente. Qënia e brendshme, niveli familjar dhe ambientin e botës së jashtme. Ky ambient i jashtëm na është prerë. Kjo ka pasoja. Por media na ka bërë që këtë ambient jashtë ta zëvendësojë dosido. Eshtë dosido sepse ne jemi si fantazma. Jemi si zombie. Jemi të gjallë dhe nuk jemi të gjallë. Mund ta përballojmë vetëm nëse kjo zgjat pak. Nëse zgjat shumë pjesa e brendshme do ta hajë goditjen e para.
Si po i kaloj këto ditë. Në aspektin e krijimtarisë je i njëjti apo këto shqetësim nuk të kanë bërë mirë ?
“Unë zgjohem po në 6 dhe fle në 12 të natës. Nuk i shkëpus kontaktet me TV. Ka momente gëzimi kur shoh mjekët tanë që ikin në Itali. Merrem dhe me projektet e mia. Kam ndërtuar 8 piktura të mëdha.”
I ngjajnë këto piktura ekspozitës “dhoma e hapave të humbur” apo është diçka komplet tjetër?
Unë konsideroj këtë si mbyllje të triologjisë. Kisha ekspozitën Lutja, më pas “dhoma e hapave të humbura”, kjo është Noah. Unë kam krijuar Noah shqiptar meqënëse Shqipëria përmbytet herë pas here….Por plasi kjo murtaje dhe studio më mungon shumë.”
Në subkoshiencën tënde kjo murtaje ka ndonjë ndikim që do të reflektohet edhe në artin tënd?
“Arti im është i drejtuar drejt murtajave. Unë nuk kam bërë peisazhe apo natyra të qeta. Temat e mia ka qenë Nostra Damusi, natura morta , kalimi nga jeta tek vdekja, dhoma e hapave të humbur ka qenë maksimumi. Për këtë piktura ime është me totalitete të errëta, gati e zezë, sa njerëzit thonë; jepi pak ngjyrë. Por unë nuk e ndryshoj firmën time. Një cunam i tillë patjetër të shinjon.”
Uroj që të takohemi në një botë pa virus dhe të shoh ekspozitën tënde që ka për të qenë si gjithmonë një surprizë.
“Unë ju falenderoj shumë, gazetarët, stafin e TV tuaj, që atë pjesë të dëmtuar që është realiteti jashtë na e sjellin në shtëpi. Nuk është vetëm lajm. Eshtë subkoshiencë kombëtare. Mos harroj policët dhe mjekët.”
Top Channel