Gjashtë nga 54 vendet e Afrikës janë mes të fundit në botë që nuk kanë raportuar ende koronavirusin e ri. Pandemia globale është konfirmuar thuajse në çdo vend, me përjashtim të një një grushti vendesh të largëta, ishullore, të mbërthyera nga luftrat apo të izoluara.
Autoritetet në Afrikë, pretendojnë se ato janë kursyer nga zoti apo thjeshtë janë shpëtuar nga trafiku i pakët ajror drejt vendeve të tyre, sidoqoftë, ka nga ata që druajnë se mungesa e testimeve atje po fsheh pasojat e vërteta.
Sudani i Jugut, vend në Afrikën Lindore, që po del nga gjashtë vite luftë civile dhe vuan nga uria, sëmundjet dhe infrastruktura e mangët, ka frikë se virusi ende i munguar atje, mund të shkaktojë kaos. Vetëm 12 teste janë kryer dhe asnjëri nuk ka rezultuar pozitiv. Por shqetësim përbëjnë të huajt që punojnë për OJQ të ndryshme. Sudani ka mbyllur shkollat, ka ndaluar tubimet, si martesat, funeralet dhe aktivitetet sportive si edhe ka bllokuar fluturimet nga vendet e prekura.
Në Burundi, autoritetet falenderojnë dorën e zotit për rastet e munguara. “Qeveria falenderon zotin e gjithpushtetshëm që ka mbrojtur Burundin”, tha një zëdhënës duke kritikuar ata që përhapin zërat se Burundi nuk është në gjendje të bëjë testimet për virusin apo se ai po përhapet pa u pikasur.
Por mjekët kanë shprehur shqetësim. Ka zero raste në Burundi sepse janë bërë zero teste – thonë ata. Koronavirusi mungon edhe në Sao Tome dhe Principe, një vend i vogël ishullor, ku sipas OBSH, as nuk mund të bëhen testimet. Në anën tjetër edhe Malavi nuk raporton raste koronavirusi por zyrtarët atje thonë se kanë në dispozicion kite testimi dhe po bëhen testime. Covid-19 nuk ka shkelur, të paktën zyrtarisht as në Lesoto, një mbretëri e vogël me vetëm 2 milionë banorë, në kufirin e Afrikës së Jugut.
Deri javën e kaluar, vendi nuk kishte teste apo qendra testimi dhe i mori kitet e para falë një donacioni të miliarderit kinez Jack Ma. Ndërsa Komoros, një vend ishullor në oqeanin indian, nuk ka regjistruar ende asnjë rast e kjo sipas një mjeku në kryeqytetin Moroni, thotë se kjo mund të jetë pasojë e përdorimit të gjerë të ilaçit artemisinin, për të trajtuar malarjen.
Top Channel