Për shumicën e grekeve ai konsiderohet si i “pari” i partizanëve të Europës, ndaj lajmi i vdekjes së tij, shkaktoi trishtim jo vetëm në qarqet politike të vendit, por dhe tek njerëzit e thjeshtë.

Zemra e ka tradhëtuar në moshën 98 vjeçare Manolis Glezon, një politikan i majtë, luftëtar deri në minutën e fundit, dhe një hero i rezistencës kombëtare, gazetar dhe shkrimtar. Figura emblematike e luftës së grekëve kundër nazismit dhe më pas një kundërshtar i flaktë i juntës ushtarake të vitit 1967, ishte dënuar gjithsej 28 herë për idetë e tij, tre herë dënimet ishin me vdekje.

“Kam bërë 16 vjet burg dhe internim. Më kanë bërë 9 tentativa vrasjeje,por vazhdimisht ndodhesha në qendër të luftës dhe përpjekjeve”- rrëfente në një intervistë Glezos.

Ai cilësohet si një kapitull i veçantë i historisë së të majtës greke dhe gjithnjë do të kujtohet për aktin heroik të uljes së flamurit nazist nga shkëmbi i shenjtë i Akropolit bashkë me shokun e tij të luftës Lakis Santas.

Manolis Glezos ka qenë aktiv deri në ditën e fundit të jetës, ishte deputet dhe president i së majtës së Bashkuar Demokratike, më vonë dhe deputet i Lëvizjes Panhelenike Socialiste PASOK dhe anëtar e eurodeputet i Koalicionit të së Majtës Syriza.

Para tre vitesh zbuloi në një konferencë ndërkombëtare sekretin e jetëgjatësisë së tij duke thënë se jetonte për shokët e tij të humbur gjatë luftës.Glezos mik i madh i shqiptarëve që ka vizituar Shqipërinë disa herë, ndërroi jetë në përvjetorin e ekzekutimit të Nikos Belojanis, heroit tjetër të luftës së grekëve kundër nazistëve, i njohur ndryshe edhe si njeriu me karafil.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA