Shkrumbohen nga zjarri dy banesa në Berat/ Familjet në qiell të hapur, nuk kanë ku t’i ruhen as CoVid-19

30/03/2020 17:36

Një zjarr i fuqishëm ka rënë në orët e para të mëngjesit në dy banesa në lagjen “Jani Vruho” në Berat. Flakët e zjarrit janë konstatuar nga patrullat e policisë në rrugë dhe menjëherë është njoftuar zjarrfikësja.

Pas mbërritjes në banesë zjarrfikësit mundën të lokalizonin flakët e zjarrit dhe ti shuanin ato gjysmë ore më vonë,por përhapja e flakëve ka qenë e furishme dhe ka shkrumbuar gjithçka në të dyja banesat,përfshi edhe tavanet.

Frika nga përhapja e koronavirusit dhe karantinimi dy ditor ka qenë “fatsjellës” për 9 anëtarët e dy familjeve Eskiu, të cilët ishin larguar nga banesa dhe jetonin së bashku në një tjetër banesë dhe kjo ka bërë që zjarri të mos shkaktojë dëme në njerëz por vetën dëme materiale. Siç duket edhe nga pamjet filmike, zjarri ka shkrumbuar gjithçka, që nga orenditë shtëpiake, rrobat, dritaret, mobiljet e deri tek tavanet prej trarësh e tjegullash, duke i lënë tashmë dy familjet në qiell të hapur. Kryefamiljari Besnik Eskiu, shprehet se, ishin me fat që ishin larguar prej disa javësh nga banesa sepse do ishin djegur të gjithë në gjumë. Ai i bën apel shteti për ndihmë,pasi tashmë kanë ngelur në qiell të hapur.

“I drejtohem bashkisë dhe instancave më të larta shtetërore që të më ndihmojnë pas kësaj fatkeqësi që na la në qiell të hapur. Tashmë nuk na ka ngelur më asgjë nga shtëpitë. Kur erdhëm në banesë pas njoftimit të policisë,flakët nuk mbaronin dhe përpinë gjithçka kishin ndërtuar me punë e sakrifica”-shprehet Besnik Eskiu.

Pas shuarjes së flakëve,po kryet edhe ekspertimi i vendngjarjes për të mësuar edhe shkaqet e zjarrit,që paraprakisht mendohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA