Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Erjona Rusi dhe Florian Gjini, ishte i ftuar me anë të një lidhjeje me “Skype”, 70-vjeçari Zeka Idrizi. Zeka, prej vitesh jeton në Zvicër dhe më 12 mars ai së bashku me familjen e tij, gruan dhe vajzën shfaqën simptomat e para të virusit.
Mirëpo vizitën te mjeku e kryen më datë 22 mars dhe një ditë më vonë mësuan se ishin pozitivë me Covid-19. Pas kësaj, Zeka shprehet se u vetëizoluan në shtëpi dhe tashmë pasi kanë kryer përsëri testet kanë rezultuar negativë nga sëmundja. Lajmi i mirë te rasti i 70-vjeçarit, përveç shërimit, është dhe fakti që ai vuan nga diabeti, sëmundje kjo që renditet si nga më të rrezikuarat e koronavirusit. Sakaq, Zeka Idrizi, shprehet se ai edhe pse ka qenë mbartës i sëmundjes nuk ka shfaqur simptoma, por vetëm dhimbje të fytit dhe temperaturë që varionte maksimalisht deri në 38. Edhe pse tashmë ai është shëruar dhe sëmundjen vrastare e kaloi me lehtësi, Zeka ka dhe një mesazh për të gjithë bashkëkombasit e tij: Qytetarët të ndjekin rregullat e qeverisë dhe të mos dalin nga shtëpia, pasi jo të gjithë mund të kenë fatin tim.
“Unë kuptova jam i prekur nga virusi më 12 mars. Nuk shkova menjëherë në 12, por shkova në 22 dhe e bëra testin dhe rezultova pozitiv. Ethe, këputje dhe temperaturë nuk kisha shumë, temperature arrinte te 38 më së shumti. Unë e bëra testin dhe më thanë shko në shtëpi dhe do të njoftojmë nëse jeni pozitivë apo negativë. Ishim pozitivë unë, vajza dhe gruaja. Unë nuk e kam vërejtur diçka edhe pse kam diabetin nuk kam vërenjtur diçka më shumë nga pjesa tjetër e familjes që janë të shëndetshëm. Nuk kam pasur problem me frymëmarrjen, as kollë, as temperaturë. Por vetëm goja më thahej dhe kaq. Të gjithë në familje e kemi kaluar, ndërsa unë dua edhe pak. Nuk kam pasur sëmundje të tjera përveç diabeitit. Për sa i përket pazarit kam katër djem, ata shkojnë bëjnë pazare dhe m’i lënë ushqimet pranë banesës dhe i marr aty. Djemtë s’i kam takuar që prej tre javësh. Bashkëkombasit e mi le t’i përcjellin këshillat që jep shteti, mjekët, se edhe unë e kam kaluar mirë por jo gjithkush mund ta ketë fatin tim. Le të ruhen, të ruhen dhe të ruhen”, u shpreh Zeka.
Top Channel