Të gjithë u ndiem krenar për mirësinë e treguar nga shqiptarja Elona Agolli, e cila prej 21 vitesh jeton në Greqi, teksa qepi 600 maska dhe ia dhurojë spitalit të qytetit në të cilën jeton, Grevena.
Elona Agolli, këtë histori e ndau dhe me shikuesit emisionit “Ftesë në 5” me Bieta Sulon. Gjatë rrëfimit të saj ajo zbuloi se spitali rajonal e telefonoi dhe i tha që ata kishin nevojë për 600 maska, materialet i kishin, por e pyetën se sa i detyroheshin për “hakun” e punës. Personeli i spitalit, mbetën të habitur kur Elona u përgjigj se për këtë shërbim nevojitet zero kosto. Rrobaqepësja nuk ngurroi që të jepte dhe një mesazh për të gjithë rrobaqepësit e tjerë që operojnë në vendin tonë.
“Më telefonoi personeli i spitalit dhe më kërkuan t’i përgatisja 600 copë maska, se në këto momente ato e kishin shumë të vështirë për t’i gjetur në treg. Më pyetën për koston dhe unë i thash që kjo nuk ka asnjë vlerë, pasi unë harxhova vetëm mundin sepse materialet ishin të spitalit. Unë kam një dyqan këtu në Greqi, punoj nga mëngjesi deri në darkë siç të gjithë emigrantët. Tashmë jam në përfundim të 600 maskave por nuk besoj që kjo do të jetë kërkesa e fundit e tyre, pasi në një qytet këtu afër numri i të infektuarve po shtohet dita ditës dhe kërkesat detyrimisht do të shtohen. Unë do ta vazhdoj të punoj deri sa të jetë e nevojshme, por duhet ta pranoj nuk mundem të numëroj dot pjesët e copave që kam prerë. Kam një mesazh të madh për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, që ta bëjnë këtë punë pasi këto maska mund të përdoren shumë herë mjafton që të lahen në 60 gradë të hekurosen dhe mund të përdoren shumë herë. Të tregohem e sinqertë nuk dëshiroja që kjo të mos bëhej fare publike por ja që u bë”, u shpreh Elona.
Top Channel