E ftuar me anë të një lidhje me “Skype”, në studion e emisionit “Open”, të drejtuar nga Eni Vasili ishte pediatrja Gjeorgjina Kuli-Lito.
E pyetur nga Vasili, se sa janë fëmijët të rrezikuar nga koronavirusi. Pediatrja u shpreh se nisur nga eksperiencat deri më tani, referuar edhe vendeve të tjera botërore, fëmijët janë grupmosha më pak e rrezikuar nga Covid-19.
Pediatrja, foli edhe se si është gjendja e katër fëmijëve të prekur nga virusi korona në vendin tonë. Ajo tha se fëmijët nuk kanë shfaqur asnjë simptomë dhe momentalisht ndodhen në shtëpi dhe jo në spital. Gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe sqaroi se nuk ka vend për panik.
“Doja të theksoja dhe të informoja që katër fëmijët që janë paraqitur të infektuar me COVID-19, në vendin tonë nuk kanë shfaqur simptoma. Të gjithë këta fëmijë ndodhen në kushte shtëpia pa shenja klinike të sëmundjes. Për aq sa jemi ne të informuar nuk kanë asnjë shenjë klinike. Në fakt fëmijë të tjerë më herët, kanë shfaqur shenja klinike por pas testeve rezultuan negative me COVID-19. Fëmijët e prekur me koronavirus, njëri është tre vjeç, njëri është adoleshent i moshës 15 vjeç, ndërsa dy të tjerët janë të moshës 10 dhe 13 vjeç. Në Shqipëri nuk ka raste të shumta me fëmijët e prekur nga COVID-19, por referuar vendeve të tjera, fëmijët nuk janë grupmoshë e rrezikuar”, u shpreh pediatrja
Top Channel